Anija e famshme britanike u përplas me një ajsberg më 15 prill të vitit 1912 dhe pak më vonë ajo preku shtratin e detit.
Historia e Titanikut vazhdon të mahnisë edhe sot botën.
Nga ngjarja tragjike humbën jetën më shumë se 1500 persona, megjithatë teori të shumta konspirative lidhen me këtë ngjarje.
Më e fundit është rishfaqur online dhe po përhapet me shpejtësi.
Në një libër të shkruar nga Robin Gardiner, pretendohet se Titaniku nuk u mbyt kurrë.
Në fakt atë natë u mbyt Olimpiku, anija-motër e Titanikut.
Robin shkruan se vendimi u mor pasi Olimpiku ishte dëmtuar gjatë një përplasje me një anije ushtarake.
Kompania e sigurimeve, Lloyd’s refuzoi të paguante dëmshpërblimin, pasi faji i mbeti Olimpikut.
Kjo e fundit nuk kishte kohë që kishte nisur udhëtimet dhe do ishte një humbje e madhe për kompaninë nëse nuk do dëmshpërblehej.
Atëherë u shpik një plan për të shkëmbyer anijen me Titanikun, në përpjekje për të improvizuar një aksident dhe për të marrë paratë e dëmshpërblimit.
Megjithatë ekspertët thonë se teoria nuk qëndron pasi anijet ishin shumë të ndryshme.
Në fund të fundit, zhytësit kanë gjetur pjesë të Titanikut dhe kjo është e pamohueshme.