Qazim Kurti, plot 87 vjeç është një qytetar dhe shembull i njeriut që ka punuar dhe ka dhënë ndihmë për komunitetin ku jeton, fshatin Bubq në zonën e Fushë Krujës. Ai ka bërë me buxhetin e tij një sërë investimesh që i shërbejnë zonës, përfshirë edhe burimin e ujit të pijshëm.
Në vitin 1970 fshati Bubq ku dhe ai jetonte vuante mungesën e ujit të pijshem, Qazimi mundësoi hapjen e një burimi që dhe sot banorët madje dhe udhëtarët nga fshatrat e tjerë ndalojnë për të pirë ujë.
“Tek burimi i Zim Kurtit”, kështu i thonë këtij njeriu punëtor. Burimi ndodhet në rrugë ku dhe lidhen fshatrat e tjerë, pranë disa pyjeve. Udhëtarët ndalojnë prane burimit dhe pasi freskohen me ujë, pushojnë nën hijen e pemëve të larta.
I moshuari ka ndërtuar dhe një park pushimi, aty ku ndodhen varrezat e fshatit, të cilat i ka rrethuar dhe i ka mundësuar ndriçimin, si një shenjë respekti për ata që janë larguar nga jeta. Teksa flet për banorët e zonës ai shprehet se ata janë njerëz me kulturë, dhe pa konflikte mes tyre, ndërsa punën dhe aktivitetin e tij e vazhdon në një tokë ku ka mbjellë pemë.