Prej kohësh tashmë emigracioni është kthyer në një temë tepër sensitive për Shqipërinë dhe shqiptarët. I ftuar në Ora News, Ipeshkëvi i Rëshenit duket se është tepër i prekur nga ky fenomen, për të cilin shprehet se dëshira e të rinjve për tu pajisur me dije dhe një zanat është e madhe, mirëpo këtë e bëjnë me shpresën se një ditë kjo do tu vlejë diku jashtë.
“Puna që mundohemi të bëjmë është të motivojmë të rinjtë që të mos e braktisin vendin e tyre. Nganjëherë jemi të vetëdijshëm që po i përgatisim të rinjtë për të ikur. Nganjëherë mundohemi të bëjmë punën e një nëne të mirë që thjesht përgatit çantën dhe në çantën e fëmijës së vet vendos gjërat që i duhen por e di që do të ikë një ditë. Shoh realitetin në Rrëshen, Mirditë. Atje i kemi të rinjtë deri në vitin e katërt të shkollës së mesme. Pastaj shkojnë në Universitet dhe 95% e tyre nuk kthehen më. Nuk janë kthyer më, ka 20 vjet. Mirdita ka furnizuar media, sa mirditorë dhe mirditore janë në media gazetarë. E dimë që punojmë për ti përgatitur që të ikin.
Por duhet punuar që ti motivojmë të rrinë aty. Dioqeza e Rrëshenit ka një nga shkollat profesionale më të mira në Shqipëri. Shkolla ka qëllim që të përgatisë të rinjtë në një profesion në Shqipëri dhe të qëndrojnë këtu. Kemi aktivizuar një proces për ata që janë mbi 18 vjeç që të marrin një zanat falas.Po kështu kemi një projekt që të ndihmojmë të rinjtë të hapin një biznes. Kemi rreth 300 studentë në Mirditë që ndjekin shkollën profesionale.Ne i inkurajomë këta persona që të rrinë këtu por jo gjithmonë ja dalim.Shumë nga këta të rinj na thonë që po përgatitemi të marrim diplomën, patentën për të ikur diku.Na vjen keq që ndodh kështu por nuk mund ti pengojmë”, deklaroi ia.
Edhe pse e shikon të vështirë ndalimin e procesit të emigrimit, Dom Gjergj ka një mesazh për të rinjtë: “Do tu uroja të rinjve të kultivojnë brenda vetes virtytin e shpresës, të gjejnë motiv për shpresën, ka motiv për shpresën.Të shpresojnë përtej situatës aktuale, varfërisë aktuale, vështirësisë aktuale, të shpresojnë përtej varrit dhe shpresës. E kemi për detyrë të shpresojmë. Sidomos ne të rriturit kemi për detyrë ti motivojmë të rinjtë”- u shpreh kleriku katolik.