Të rinjtë e politikës shqiptare kanë diskutuar në studion e emisionit “Pushteti” nga Juela Meçani në Fax News për punësimin dhe largimin nga vendi pasi nuk shohin të ardhme në Shqipëri.
Të ftuar në studio janë Imanuel Çaushi zëvendës sekretar i marrëdhënieve me jashtë në FRPD, Eriona Bixho ish-anëtare e Këshillit Bashkiak, sekretare organizative e LSI-së, si dhe Erjo Mile anëtar i kryesisë së FRESSH. Ndërsa ky i fundit thotë se të gjithë studentët e mjekësisë që janë punësuar për të ndihmuar në luftën kundër koronavirusit, të rinjtë e opozitës besojnë se një pjesë e madhe duan të ikin nga Shqipëria pasi qeveria i ka motivuar duke mos i ofruar mundësi.
Eriona Bixha fton Erjo Milen që të bëjë check in-in e shokëve për të mësuar nëse 50% e tyre janë larguar nga vendi dhe pjesa tjetër po punon për tu larguar.
Pjesë nga biseda
Erjo Mile: Dëgjuam të gjithë liderët, por i vetmi që po gënjente ishte Basha. Më falni por të gjithë studentët e mjekësisë që përfshihen për të dhënë ndihmë në këtë periudhë pandemie, paguhen.
Imanuel Caushi: Në fund dha dhe insertin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës që tha se rinia është e tashmja tani, jo vetëm e ardhmja dhe ne të PD jemi të lumtur se këto fjalë që ka thënë kryetari juaj i dytë janë fakt. Forumit rinor të PD i është besuar 100% hartimi i programit për rininë në manifestin për zgjedhjet e 25 Prillit.
Erjo Mile: Pse nuk u përfshi Belind Këlliçi në listën për deputet?
Imanuel Caushi: Kur të vijë Belind Këlliçi mund ta pyesësh. Janë gjëra që kanë ndodhur vite përpara, janë nxjerrë konkluzionet dhe ne vazhdojmë të shohim përpara, se këto sulmet e të shkuarës, ju të majtët i keni kështu që shikoni. Ne kemi vënë në praktikë rininë dhe hartojmë plan nga të rinjtë, me të rinjtë, për të rinjtë.
Erjo Mile: Në 8 vitet e qeverisjes së PD, për rininë nuk është bërë asgjë. E vetmja forcë politike që ka filluar dhe po bën për të rinjtë është PS. Ka filluar me programet e punësimit…
Imanuel Caushi: Prandaj sondazhet e të rinjve thonë se 79% duan të ikin, se keni bërë shumë këto 8 vite dhe na keni motivuar që të ikim.
Eriona Bixha: Më bëj vetëm një check in të shokëve që ke pasur në gjimnaz apo fakultet dhe më thuaj mua nëse 50% e tyre i ke jashtë shtetit dhe ata që kanë mbetur këtu janë në tendencë e sipër të mësojnë gjuhën gjermane për të ndihmuar në mjekësinë gjermane apo profesionet e tyre. Pse sot Covidi dhe kjo pandemi po përjetohet më keq se në cdo vend? Sepse të gjithë mjekët janë në Gjermani. Duke njohur shumë mirë strukturën e Lëvizjes Rinore për Integrim, të gjithë studentët të cilët vazhdojnë për mjekësi e infermieri, janë paralelisht në kurse gjermanishte. (A.M/Faxweb.al)