Shkarkoni aplikacionin e Fax Web

 


AktualitetEkonomiTe FunditTe Gjitha

Të punosh në pandemi, si po ndikohet produktiviteti te shqiptarët, sektorët më të prekur

Pandemia i sprovoi bizneset, duke kërkuar përshtatjen e tyre për të vijuar aktivitetin. Për punonjësit, faza fillestare u përjetua në forma të ndryshme. Disa për hir të mundësive mund të vazhdonin punën nga shtëpia dhe u përshtatën menjëherë madje duke qenë edhe më produktivë. Të tjerë u alternuan mes zyrës dhe shtëpisë sipas rastit e një grup tjetër, nuk kishin zgjidhje përveçse të vazhdonin rutinën e para pandemisë, por me masa shtesë dhe distanca brenda ambienteve të punës.

Prej një viti po jetojmë me COVID-19 dhe është më e thjeshtë të analizohen efektet e pandemisë te produktiviteti në punë. Së pari, në raportin punë nga shtëpia apo nga zyra, tregu shqiptar tregoi se mund të përshtatet, por puna në distancë nuk mund ta zëvendësojë atë nga zyra. Kjo lidhet me kulturën ku ende përqafimi i modeleve të punës në distancë është shumë pak i pranishëm, po edhe me faktin se bizneset apo kompanitë ende nuk kanë të ngritura të gjitha sistemet e brendshme teknologjike që do t’ju mundësonin koordinim më të mirë të gjithë hallkave.

Banesat nuk janë të konceptuara të gjitha me studio të dedikuar për punë nga shtëpia. Prania e familjarëve dhe sidomos fëmijëve ka bërë që veçanërisht prindërit me fëmijë të jenë mes punës dhe prindërimit në të njëjtën kohë, duke pasur rënie të produktivitetit. Ky i fundit ka shënuar rënie edhe kur sheh mungesat në staf për shkak të infektimeve. Prania e një hallke, por mungesa e një tjetre për shkak të pamundësisë shëndetësore ka lënë pezull apo ka zgjatur procedurat dhe kjo ka bërë që objektivat të mos kapen sipas afateve të përcaktuara.

Një element tjetër që duket se ka ndikuar produktivitetin e punonjësve ka qenë edhe pesimizmi për situatën, frika nga infektimi, apo humbja e njerëzve të dashur, çka konfirmohet edhe nga administratorët e kompanive. Edhe pse puna dhe sigurimi i të ardhurave është jetike, një pjesë edhe e kanë braktisur atë nën frikën e pandemisë e të tjerë e kanë parë si formë reflektimi për të lënë pozicionin që kanë e për të kërkuar një më të mirëpaguar duke emigruar jashtë Shqipërisë. Por si paraqitet sot puna dhe produktiviteti i saj sipas sektorëve nga fasonët tek ndërtimi tek industria përpunuese.

Fasonët, punonjësit të dekurajuar nga pandemia, sektori në vështirësi

Pavarësisht se eksportet në janar të këtij viti shënuan rritje me 3.1%, grupi i tekstileve dhe këpucëve, kryesori me mbi 30% të totalit, ka pasur ecuri të dobët.

Vendosja e karantinave të detyrueshme në shumë shtete e ka bërë të paqartë panoramën për kompanitë e mëdha që furnizonin me punë tregun shqiptar. Eksportet në grupin tekstile dhe këpucë u tkurrën me 2% në raport me janarin 2020 sipas të dhënave të INSTAT.

Situata pritet të jetë edhe më problematike në vazhdim dhe kjo përveçse ka dobësuar financiarisht kompanitë shqiptare, ka sjellë edhe rënie produktiviteti të punonjësve brenda tyre, për shkak të pasigurisë së vazhdimit të punës. Z. Skënder Pashaj, nga kompania FITAL, që punëson 1050 punëtorë në fabrikat e këpucëve, pohon se produktiviteti ka rënë dhe kjo ndikohet nga situata e përgjithshme e krijuar nga pandemia.

“Produktiviteti në punë është në rënie të lirë njëlloj si situata e pandemisë në përgjithësi. Një pjesë e punonjësve (shumë e vogël kjo), nuk kanë ardhur në punë, ndërsa pjesa tjetër nuk kanë vullnet ose janë bërë pesimistë. Ne jemi munduar që t’i mbajmë të gjithë në punë, pavarësisht situatës së vështirë që po kalojmë. Janë rreth 1050 të punësuar të cilët do vazhdojnë të punojnë normal edhe për marsin. Pas kësaj periudhe nuk e di se çfarë vendimi do të marrim, pasi jemi në vështirësi të madhe. Po bëjmë llogaritë tona edhe ne dhe ndoshta për dy muaj do të na duhet të mbyllim kompaninë pra për prillin dhe majin” – thotë z. Pashaj.

Ai nënvizon se kjo situatë nuk është e izoluar me një apo dy kompani por bëhet fjalë për shumicën e operatorëve të tregut dhe ndoshta qeveria duhet të rishikojë mbështetjen e saj. “Është i gjithë sektori në vështirësi dhe nuk të dëgjon kush sot nëse kërkon të flasësh me dikë nga shteti për të gjetur një zgjidhje të përkohshme. Ne si sektor do të na ndihmonte shumë që një apo dy muaj, qeveria të përballonte pagat e punonjësve. Kjo është një vdekje e ngadaltë për bizneset.

Me porositë kemi qenë dobët, sepse varemi nga zhvillimet në tregjet europiane dhe andej nuk po lëviz asgjë. Sot që flasim në një kohë normale, duhet të kisha 200-300 mijë palë këpucë në fakt kam vetëm 80 mijë. Tregjet janë të bllokuara totalisht kudo. Nuk ka kërkesë. E dëgjoj shpesh të thuhet që është rritur tregtia online. Po, situata aktuale e ka bërë që të rritet kjo tregti, por ajo nuk i zëvendëson kurrë volumet e shitjes direkte në dyqane dhe të gjithë elementet, nga karantinat te situata e paqartë kanë bërë që kompanitë të mos bëjnë plane prodhimi. Unë e shoh këtë situatë të tillë deri në tetor të këtij viti.

Shumë kolegë të mitë që punojnë në të njëjtin sektor janë në vështirësi. Një pjesë kanë falimentuar. Nuk bëhet më fjalë për kompani të vogla, të cilat u prekën që në fillim. Janë biznese të mëdha në aspektin e numrit të punonjësve që kanë. Një grup tjetër po përpiqet të mbijetojë, duke bërë shkurtime. Ka kompani që kanë ndërprerë marrëdhëniet e punës me qindra punonjës.

Kanë muaj e muaj të tërë që presin se mos situata ndryshon e po përmirësohet diçka në tregjet jashtë, por nuk ka asnjë avancim. E vetmja që po vazhdon me porosinë dhe kontratat është këpuca e punës. Pjesa që nuk punojnë me këtë produkt kanë marrë masa ose me shkurtime, ose mbyllje fabrikë. Problem është që këtu nuk ka një strategji për të mbështetur sektorin, është një krizë reale dhe amortizimi social që mund të jepej nëpërmjet mbështetjes të paktën të fuqisë punëtore do të ishte një ndihmë e madhe. Ne nuk duam të mbyllim fabrikat e saj, të shkurtojmë punonjës, po rezistojmë me aq mundësi sa kemi” – pohon administratori i FITAL.

Vdekje e ngadaltë për bizneset

Shumë kolegë të mitë që punojnë në të njëjtin sektor janë në vështirësi. Një pjesë kanë falimentuar. Nuk bëhet më fjalë për kompani të vogla, të cilat u prekën që në fillim. Janë biznese të mëdha në aspektin e numrit të punonjësve që kanë. Një grup tjetër po përpiqet të mbijetojë, duke bërë shkurtime

Ndërtimi nuk njeh rënie në asnjë drejtim, as në produktivitet

Sektori i ndërtimit prej vitesh është futur në një cikël rritjeje, si për sa i takon numrit të bizneseve në këtë fushë, ashtu edhe sipërfaqes së lejeve të dhëna për ndërtim apo çmimeve me të cilat po tregtohen njësitë në këto ndërtime për metër/katror. Të dhënat e fundit të Anketës Strukturore të Ndërtimit treguan se bizneset e kësaj fushe u rritën me 9% në numër në vitin 2019.

Edhe në vitin 2020, teksa shumica e bizneseve pësuan rënie drastike, ndërtimi regjistroi rritje duke vijuar normalisht aktivitetin. Parashikohet që aktiviteti të ecë pozitivisht edhe gjatë këtij viti. Profili i punës, ku shumica e proceseve kryhet në ambiente të jashtme dhe me distanca, ka sjellë më pak punëtorë të infektuar.
Ndërtuesi Hajredin Fratari pohon për “Monitor” se produktiviteti në sektor nuk ka shënuar rënie, duke vijuar normalisht.

“Ndërtimi është një sektor specifik dhe sikurse e keni parë ka vazhduar normalisht, pavarësisht pandemisë. Me përjashtim të periudhës së parë të karantinës, kur u mbyll gjithçka, kur pati një lloj tkurrje, më pas çdo gjë ka vazhduar normalisht. Punëtorët në këtë sektor duket se e kanë kaluar gradualisht me pak raste në një kohë, por nuk ka pasur shumë infektime, pasi punohet në ambient të hapur.

Nuk kemi pasur bllokim për efekt të mungesës së fuqisë punëtore apo uljes së produktivitetit. Në këtë kohë, madje, nuk kemi vënë re as largime apo mungesë dëshire për të punuar. Shumica janë të interesuar të kenë vendin e punës dhe të punojnë normalisht, pasi paga është e ardhura e tyre dhe e familjes në këto ditë të vështira. Punohet me kohë të plotë dhe në mënyrë korrekte dhe në tërësi sektori, po ecën mirë” – nënvizon ai.

Pritshmëria për vazhdimin është pozitive, pasi në treg ka sinjale të qarta se kërkesa mbetet aktive.
“Ne presim që i gjithë 2021 të jetë një vit i mirë për sektorin e ndërtimit, qoftë për hir të projekteve që po zbatohen në kuadër të rindërtimit, ashtu edhe projekte private që po zhvillojnë vetë kompanitë e ndërtimit në zona të ndryshme. Kostot, nga ana tjetër, për sektorin e ndërtimit janë gjithnjë në rritje e po ashtu, edhe taksat, e për rrjedhojë, kjo reflektohet te çmimet e rritura. Duhet thënë që çmimi është raport kërkesë – ofertë, ndaj përderisa ka kërkesë, normalisht edhe çmimet do të jenë në rritje” – shprehet Fratari.

Pandemia frenoi produktivitetin në bujqësi, por sërish më mirë se një pjesë e sektorëve

Bujqësia nuk mund të ishte e izoluar nga kushtet e pandemisë. Hallkat e saj nuk lidhen vetëm me prodhimin, i cili zhvillohet në ambiente të hapura, apo sera të mëdha ku rreziku i infektimit është më i ulët, por dhe me elemente të tjera, si koha për të arritur tregjet, mundësia për të siguruar grumbullues.

Ndaj edhe pse në disa aspekte, bujqësia ka qenë më e favorizuar në kushtet e pandemisë sesa shumë sektorë të tjerë, ajo ka punuar e frenuar dhe nën potencial. Agim Rrapaj, kryetar i Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar, nënvizon pikërisht këto elemente frenuese.

“Bujqësia ka pasur frenime për shkak të pandemisë, por në raport me sektorët e tjerë, është më mirë në të gjithë treguesit e saj. Kjo lidhet ndoshta edhe me mundësinë e kohës më të madhe të shfrytëzuar në bujqësi, në kushtet kur për sektorët e tjerë, masat kufizuese i preknin më shumë për shkak edhe të natyrës së aktivitetit. Edhe te bujqësia, këto masa kufizuese e kanë dhënë një lloj efekti, pasi kanë ndikuar tek rritja e kostos së prodhimit, që ka ardhur si rezultat i uljes së rendimentit në shumë produkte dhe ferma.

Pandemia ka pasur ndikim edhe në gjetjen e fuqisë punëtore në momentet e pikut. Ka pasur mangësi për shumë arsye, ku ndër më kryesoret është edhe COVID-19. Janë hasur probleme edhe në shitjen e tepricave të produkteve për arsye të kufizimit të lëvizjeve” pohon Rrapaj.

Sipas tij, nuk është vënë re rënie e kërkesës apo konsumit për produktet bujqësore, pasi ato janë të lidhura me jetesën e përditshme dhe ndoshta mund të kursehet nga shumë aspekte të tjera, por jo tek ushqyerja. Lidhur me investimet në sektor ato janë lënë pezull, në pritje të kushteve, ndërkohë që nuk ka braktisje të sektorit.

“Sa u takon investimeve në sektor, ato vetëm mund të jenë ngadalësuar, por nuk janë braktisur. Ka vështirësi në procese të ndryshme, që lidhen me investimet në bujqësi por nuk ka lëvizje për t’u larguar nga sektori.
Në tërësi, te zinxhiri ushqimor, rënie ka blegtoria, pasi shihet tkurrje e numrit të krerëve, ndërkohë që është rritur importi i qumështit të freskët dhe kosto e ushqimeve për blegtorinë.

Kjo tendencë është në mbarë botën, jo vetëm në Shqipëri. Peshkimi dhe akuakultura kanë ecur më mirë dhe kjo lidhet me faktin që ka pasur më shumë mbështetje nga qeveria. Më shumë peshkimi, siç është politika për naftën apo lehtësi të tjera fiskale. Nisma e fundit për naftën në bujqësi është pozitive dhe sigurisht që do të japë efekt por kjo do të shihet pas një viti, nuk është e menjëhershme.

Mbështetja e bujqësisë me politika për të përballuar pandeminë nuk ka qenë shumë e dukshme. Ajo madje mbeti jashtë paketave ndërkohë që në tërësi, financimet që merr bujqësia asnjëherë nuk janë të mjaftueshme për të përballuar problematikat me të cilat ndeshet, sidomos tre më të fundit duke nisur nga tërmeti i 2019-s, te pandemia e së fundmi te përmbytjet apo thatësira.

Pjesa që është përmbytur do të ketë dëme të mëdha dhe një pjesë e mirë e fermave do të kenë shpenzime ekstra për përmirësimin e situatës së tokës për ta sjellë atë në gjendje normale kultivimi, si dhe mbjellja nga e para me kultura do të jetë sërish kosto” – shprehet Rrapaj.

Fabrikat, në përpjekje për të mbajtur “bërthamën” në punë, profesionistët po largohen

Dëshira për të punuar mund të pësojë luhatje, por në kohë pandemie, shumica duhet se janë përpjekur të mbajnë vendin e punës për shkak se të ardhurat kanë marrë rëndësi të veçantë përballë pasigurisë së shëndetit. Bizneset janë ndeshur në disa raste, jo me ulje të produktivitetit, por me rrezikun për të humbur bërthamën “elitare” të profesionistëve, të cilët kanë kërkuar mundësi më të mira, duke emigruar edhe në kohë pandemie.

Z. Stefan Pinguli, administrator i “Stefan & Co” dhe resortit “Te Stela”, shprehet se teksa paga minimale është rritur për punonjësit me vendime të qeverisë, rritja e pagave te profesionistët e lartë, në dy vitet e fundit, nuk ka ndodhur për shkaqe të pamundësisë. Kjo ka shkaktuar pakënaqësi në treg tek ky grup dhe është një humbje e madhe për biznesin teksa i sheh të largohen.

“Sa i takon stafit në fabrikë, ne kemi punonjës që nisin nga proceset më të thjeshta tek ato më të komplikuara, që kanë nevojë për teknikë shumë të specializuar. Kemi zgjedhur që, pavarësisht vështirësisë, të mos largojmë askënd nga puna e të mos i prekim pagat. E kemi vuajtur këtë situatë në mënyrë të jashtëzakonshme si sektor dhe kërkuam një lloj mbështetje, pasi rënia e prodhimit dhe konsumit nuk na e bën të lehtë mbajtjen e punonjësve. Sot, në fabrikën e birrës, kam 100 punonjës.

Ka pasur shumë pak largime nga frika e situatës. Ndërkohë janë larguar edhe njerëz me pozicione kyçe dhe jo për shkak të të pandemisë, por kanë ikur jashtë, sepse paguhen më mirë. E meta jonë dhe e gjithë sektorit është që nuk kemi zbatuar prognozën e rritjes për kohën që kalon. Në një apo dy vitet e fundit, nuk kemi bërë dot rritje te pagat e punonjësve të kualifikuar, sepse na është rritur pragu i pagave minimale, kanë qenë vite të vështira në përgjithësi edhe për situatën ekonomike dhe normalisht kemi edhe taksa.

Mosrritja e pagave për kategorinë e profesionistëve me role kyçe ka krijuar, me të drejtë, pakënaqësi, pasi teksa rritet paga minimale ajo e inxhinierëve, financierëve kanë mbetur në vend. Pavarësisht vitit të vështirë, ne tani i kemi ndryshuar dhe ato sepse duam të mbajmë kapitalin njerëzor.

Viti 2021 është vazhdim i atij që lamë pas. Dy muajt e parë janë shumë keq dhe me një ulje 30-40% në shitje, në raport me një vit më parë, kur ende nuk ishte virusi në vendin tonë. Megjithatë, ne do të mundohemi të rezistojmë me këto kushte” shprehet ai.
Pandemia e ka futur biznesin në një cikël të vështirë ku ka pak shitje e për rrjedhojë, pak të ardhura e kjo ka sjellë ulje të prodhimit.

“Në bizneset e të gjitha natyrave, pandemia ka ndikuar së pari me kufizimin e orareve. Kjo ka sjellë qoftë më pak konsum ashtu edhe më pak produktivitet në punë. Thënë këtë, kur njerëzve në një restorant u thua që shërbej deri në shtatë, sigurisht që do të porosisin më pak. Ne kemi në restorant birrën tonë dhe ideja e konsumit të birrës është që ti të shpenzosh më shumë kohë, duke konsumuar dhe duke pirë. Nëse të duhet të nxitosh, ikën elementi i kënaqësisë. Ne kemi vënë re se ka një rënie me 30% të konsumit të birrës në bare e lokale ndërsa klientela është zvogëluar me 50%.

Pjesa e orareve mund të jetë një arsye, ashtu sikurse pamundësia financiare mund të jetë tjetra. Njerëzit kanë tendencën të kursejnë duke blerë vetëm gjërat e dobishme, ndërkohë që një pjesë kanë pasur shpenzime për ilaçe, sepse jemi në një kohë pandemie. Këtë e vëmë re nga rënia e tërheqjes së birrës edhe në dyqane e supermarkete. Në një situatë si kjo, edhe prodhimi i birrës ka rënë me 30%” – thotë z. Pinguli.

Bar-kafenetë, markat e ndiejnë më pak dobësimin prej pandemisë

Bar-restorantet dhe kafenetë kanë qenë një ndër bizneset më të goditura nga pandemia, kur flasim për aspektin financiar dhe ndikimin kryesor e ka dhënë së pari kufizimi i orareve dhe së dyti, ai i mjediseve, ku shërbimi brenda deri vonë nuk lejohej.

Shumë prej tyre janë mbyllur, ndërkohë që të tjerë ia kanë dalë të rezistojnë. Përgjithësisht, markat në këtë sektor ia kanë dalë ta përballojnë më mirë situatën sfiduese të krijuar nga COVID-19, edhe në aspektin e produktivitetit në punë. Juxhin Balliu, administrator i Mon Chéri, shprehet se gjatë kësaj periudhe të pandemisë nga post-karantina, kompania nuk ka pasur probleme me stafin në kuptimin e largimeve apo të mungesës së dëshirës për të punuar.

“Sigurisht që ka pasur raste tek-tuk të stafit, të cilët janë prekur nga COVID-19 pasi është një kohë e vështirë, por nuk kemi pasur rënie të produktivitetit. Është gjetur gjuha e përbashkët për të zëvendësuar njëri-tjetrin dhe gjithçka ka kaluar lehtë. Flasim për rreth 300 të punësuar bashkë me filialet” – thotë ai.
Sipas z. Balliu, sektori i bar-kafeve në Shqipëri, pavarësisht vështirësive, ka qenë më mirë sesa në Europë ku janë të mbyllura njësitë e kësaj natyre.

“Mendojmë se me ardhjen e verës, do të ketë edhe një rritje, pasi njerëzit do të shfrytëzojnë ambientet e jashtme më shumë. Në këtë periudhë, edhe take away (porosi me vete) është rritur në përshtatje të kushteve. Ne si brand nuk kemi përjetuar rënie drastike të frekuentimit, pasi targeti ynë janë kryesisht të rinjtë dhe një pjesë e mirë e kanë kaluar COVID-19. Pasojat i kanë vuajtur më shumë kafenetë e pozicionuara keq. Kurse markat kanë klientët e tyre besnikë dhe një lloj qëndrueshmërie” – shprehet ai.

Z. Balliu pohon se ka më shumë kosto sot për kafenentë për shkak të kushteve të higjienës që duhet të plotësohen, ndërkohë që xhiro ka pësuar rënie. Lidhur me planet e zgjerimit me pika të reja, ai tregon se kompania nuk ka hequr dorë, por pret të qartësohet situata e pandemisë. Ndërkohë që është diversifikuar grupi në të cilin bën pjesë Mon Cheri me një rrjet marketesh joushqimore, Euro 1.

“Kostot janë rritur te pjesa e higjienës në respektim të masave që janë vendosur për zbatimin e protokolleve. Lidhur me kostot e tjera, si qiratë, ato kanë mbetur të njëjta dhe ne si biznes nuk kemi kërkuar ulje apo rinegocime, përkundrazi kemi bërë pagesa në kohë, për të dhënë një lloj besueshmërie. Bëhet fjalë për këtë fazë të post-karantinës e deri tani. Xhiroja ka rënë disi, për shkak të efekteve të kufizimeve, por mendoj se pjesa më e keqe ka ikur dhe tani do të duhet të kalojë pak kohë deri në arritjen e normalitetit.

Besoj se kjo nuk do të vijë shpejt, por deri nga fundi i vitit do të jemi duke ecur drejt kësaj. Për shkak të pandemisë kemi lënë pezull planet tona të zgjerimit, por nuk i kemi braktisur ato nëse flasim për pikat Mon Cheri. Jemi zgjeruar, nga ana tjetër, pavarësisht situatës, në një rrjet marketesh joushqimore të njohura si Euro 1. Brenda tyre tregtohen 3000-5000 artikuj me 1 euro. Aktualisht janë pesë pika që operojnë dhe deri në fund të vitit do të dyfishohen, pasi kemi mbyllur edhe kontratat. Ky rrjet po ecën shumë mirë dhe tregton nga lodrat tek kancelaritë” – tregon z. Balliu.

Zyrat, kombinim i vështirë me punën nga shtëpia

Tendenca e punës në distancë u evidentua sidomos gjatë karantinës së detyruar, kudo në botë, përfshirë edhe Shqipërinë në periudhën mars-maj, por edhe tani në periudhën e dimrit pas shtimit të rasteve me Covid-19.
Karantina detyroi bizneset që brenda ditës të kalonin nga kultura e punës në zyrë në atë të shtëpisë. Sigurisht në rastet kur kjo ishte e mundur. Por sa eficente ka qenë praktika në tërësi.

Jonian Antoni, nga Century21, tregon se në fillim kjo ishte diçka pozitive, pasi njerëzit po punonin edhe jashtë orarit, por më pas, kur masat kufizuese u hoqën ndarja e kohës së punës dhe asaj me familjen nuk po bëhej shumë e qartë.

“Fillimi i pandemisë dhe fillimi i metodës work from home (punë nga shtëpia) u duk interesante dhe premtuese për nga rendimenti që po jepte, pasi tek ato biznese që e kishin të mundur ta aplikonin këtë mënyrë të punuari, rendimenti u rrit për një kohë të shkurtër, duke qenë se mungesa e orareve bëri që njerëzit të punonin edhe overtime (jashtë orarit). Më pas u vu re që kjo nuk ishte më produktive, pasi individët po ngatërronin pjesën dhe kohën e shpenzuar me dhe për familjen me pjesën e punës” – pohon ai.

Call center, kombinimi i punës nga shtëpia rrit kostot, ul kontrollin dhe produktivitetin

Prej marsit të 2020-s, punonjësit në call center operojnë në smart working, për shkak të frikës së infektimit. Kthimi në mjediset e punës është fizikisht i pamundur, pasi kompanitë veprojnë me rregulla rigoroze të respektimit të distancës 1,5 metra mes punonjësve. Nëse në fillim të pandemisë, smart working u konsiderua e ardhmja e ndërmarrjeve të shërbimit, për call center në Shqipëri ky model vlerësohet “mision i vështirë”.

Ervin Gogo, administratori i kompanisë AlbaContact sh.p.k., tha se vështirësitë aktuale të punës në distancë lidhen me monitorimin e punonjësve. “Edhe pse rrjeti software që përdorim mundëson kontrollin e operatorëve, modeli i smart working të jep pak mundësi për të ndërhyrë, kur punonjësi nuk është produktiv. Në llojin tonë të punës, ndërhyrja duhet bërë në kohë reale dhe jo në përfundim të ditës. Për këtë arsye pamë të udhës se zgjidhja më e shpejtë për të garantuar prodhimin është rritja e pagesave variabël dhe ndërgjegjësimi i vazhdueshëm. Rritëm bonuset në masën 80% dhe kjo shtoi kostot e punës 25-30%. Sot që flasim, vazhdojmë të investojmë, sepse jemi ende në të njëjtën situatë”.

Z. Gogo, pohon se smart working nuk funksionon në terma kaq afatgjatë. “Punonjësit duhet të rikthehen në sallat e punës ose do të na duhet të ndryshojmë kontratat e tyre, duke i paguar më shumë për shitjet sesa për orët fikse të punës”. Puna në distancë ka krijuar rrethin vicioz për punësimin e të rinjve në sektorin call center. Sipas përfaqësuesit të AlbaContact, kompanitë nuk mund të largojnë nga puna punonjësit me performancë të ulët. Nga ana tjetër, në këtë situatë ku është e pamundur të zhvillohen kurset trajnuese, e shohin të vështirë të bëjnë rekrutime të reja.

Qasja është e njëjtë edhe për Vincenzo Pisano, administratori i kompanisë call center Optima Albania. “Aktualisht, 30% e punonjësve që shesin produkte janë kthyer në zyrë dhe janë ata të cilët kanë pasur performancë të dobët me punën nga shtëpia. Nuk është e njëjta situatë, si një operator të punojë në zyrë dhe nga shtëpia, pasi edhe kontrolli është i vështirë”.

Puna nga shtëpia ka rritur dhe kostot. Nga nisja e pandemisë e deri tani, 90% e operatorëve të Teleperfomancës po punojnë nga shtëpia. Ky model i të punuarit për shkak të COVID-19 kërkon rritjen e investimeve të kompanisë në IT, si dhe ruajtjen e sigurisë në punë. Diego Pisa, administratori i kompanisë me numrin më të madh të të punësuarve, Teleperformanca, tha se për funksionimin e punës nga shtëpia u zbatuam disa procedura të larta sigurie për mbrojtjen e të dhënave të klientëve.

“Ne investuam 1,2 milionë euro vetëm për sigurinë në fushën e IT-së. Po investojmë edhe në software që do të forcojnë më tepër sigurinë e të punuarit në distancë dhe për të pasur me tepër interaktivitet me operatorët”, tha Pisa.

Për kë do të votoni në zgjedhjet e 25 prillit?
  • Koalicioni i udhëhequr nga PD 52%, 7123 votes
    7123 votes 52%
    7123 votes - 52% of all votes
  • PS 29%, 3960 votes
    3960 votes 29%
    3960 votes - 29% of all votes
  • Nuk do të votoj 9%, 1277 votes
    1277 votes 9%
    1277 votes - 9% of all votes
  • LSI 5%, 665 votes
    665 votes 5%
    665 votes - 5% of all votes
  • Të tjera 4%, 565 votes
    565 votes 4%
    565 votes - 4% of all votes
Total Votes: 13590
19/03/2021
Për t'ju bashkuar grupit të Faxweb.al në Facebook, klikoni Join Group
loading...

Artikuj të Ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.