Kryedemokrati Lulzim Basha pasi zhvilloi takimin e përbashkët me deputetetët e Partisë Demokratike të dalë nga zgjedhjet e 25 Prillit dhe kandidatët jo fitues të listës, priti veçmas në zyrë kreun e Partisë Republikane Fatmir Mediu.
Në një intervistë për Log., ishte ky i fundit ai i cili zbuloi mbi atë çfarë u diskutua në takimin kokë më kokë. Mediu bëri me dije se në takim u diskutua mbi procesin e manipulimit të zgjedhjeve dhe qëndrimin që do të mbahet në lidhje me këtë çështje.
Fatmir Mediu: Të gjithë i takova. Jemi në një angazhim të përbashkët. Ishte një diskutim që bëmë për procesin e manipulimit të zgjedhjeve ku secili nga ne është i involvuar. Ajo që ka humbur sot është Shqipëria. Ka fituar një regjim i korruptuar që ka shpërbërë shtetin, vlerat dhe traditat e kësaj shoqërie dhe ka goditur vlerat e individit. Unë nuk njoh asnjë manipulim qoftë edhe të një vote të vetme. Kur të dalë rezultati i asaj që ka ndodhur në Shqipëri do të ketë një qëndrim në lidhje me këtë çështje. Jemi në proces të këtij manipulimi të madh që ka ndodhur.