Përflitej prej kohësh që KF Elbasani nuk do të merrte pjesë në kampionat këtë sezon. Kjo, sepse pas mbylljes së sezonit nuk kishte nisur puna për organizimin e këtij kampionati. Mirëpo, pas hedhjes së shortit nga ana e FSHF-së, u bë fakt i kryer pasi kjo skuadër nuk figuronte, çka solli rrjedhimisht edhe përjashtimin nga kampionati. Bëhet fjalë për një klub me histori, që për herë të parë nuk do të marrë pjesë në kampionat. Në muajin janar u nda nga jeta presidenti legjendar i kësaj skuadre, Arben Laze, dhe aksionet i kanë kaluar familjes së tij, por për momentin duket se nuk kanë ndërmend të vijojnë me investimin në klub. Ishfutbollisti i shquar i skuadrës kampione të vitit 1984, ish-trajner i Elbasanit dhe shumë skuadrave të tjera në kampionatin shqiptar, Luan Deliu, shpreh keqardhje për stopimin e historise më shumë se një shekull. Një nga të paktit zëra kritik në futboll shpreson që një ditë tradita të zgjohet.
Mesfushori Renato Hyshmeri i cili ka luajtur me disa nga ekipet e kampionatit shqiptar por fillesat i ka me KF Elbasanin thotë se Futboll- Klub Elbasani nuk e meritonte këtë fund.
Tifozëria e Elbasanit e ka ndjekur ekipin brenda dhe jashtë fushe. Të pagëzuar si “tigrat verdheblu” ata ishin lojtari i 12 – të në fushë. Njëri prej tyre është Lefter Hodaj. Me zerin që i dridhet thotë se lajmin e shperbërjes së Elbasanit nuk e kapërcen dot.
“Të dhemb zemra për Elbasanin. Kur flasim për ato legjenda që na kanë dhënë emocione, ndihemi krenarë. Tani sesi ndodhën situatat, sesi erdhi kjo kohë, është e tmerrshme për qytetin tonë. Është shumë e vështirë dhe me keqardhje them se nuk e kapërcejmë dot. Shpresojmë të bëjë ndonjë gjë bashkia ta rikthejë aty ku e meriton”– u shpreh një prej tifozëve.
KF Elbasani ishte klubit legjendë i futbollit shqiptar që ka fituar dy tituj kampionë (1983-1984 dhe 2005-2006), dy Kupa të Shqipërisë (1975 dhe 1992) dhe një Superkupë (1992). Tashmë KF Elbasani që gëzonte një qytet të tërë me titullin kampion të sezonit 2005-2006 nuk ekziston më, por gjithsesi bashkia i ka paraprirë me kohë kësaj situate duke krijuar një ekip të ri Akademia e Futbollit Elbasan.Kësisoj, zhgënjimi që mund të përjetojnë tifozët do të jetë më i vogël.