Alarmi i koronavirusit ka bërë që maskat mbrojtëse të fytyrës të shiten në masë në Itali ndërsa kjo nga disa firma të njohura në Milano është parë edhe si një mundësi shumë e mirë tregtie.
Markat e njohur si “Fendi” kanë filluar të prodhojnë maskat e tyre, por edhe pse në një situatë emergjente çmimi i tyre është relativisht i lartë. Sipas mediave në Itali në farmaci ka patur mungesë furnizimi të maskave për shkak se ato janë shpërndarë me shpejtësi. Të vetmet që shiten janë me pako që kushtojnë 100 euro.
Ndërkohë në internet, dhe në dyqanet e tyre përkatëse, mund të gjenden maska në modë nga Fendi. një maskë e tillë kushton plot 190 euro.
“Maska në 40 euro e disinfektues 80ml me çmim 22.5 euro.”
Konsumatorët italianë denoncojnë mashtrimin që po u bëhet me çmimet në këtë moment kritik. Psikoza e panikut të infektimit nga koronavirus ka çuar në Itali në shumëfishimin e çmimeve të produkteve higjeno-sanitare që po boshatisen nga raftet e supermerketeve e të farmacive. Mungesa e tyre ka çuar që mjaft italianë t’i blejnë në platformat online ku ndër më gjigandet është Amazon.
Enti Italian për mbrojtjen e të drejtave të Konsumatorëve Codacons pas një monitorimi konstant prej disa ditësh ka denoncuar se çmimi i shitjes online të një maske është rritur me 1700% . Online çmimi i shitjes së një maske ka arritur në 40 euro e në platformën Amazon konfeksioni me 5 maska shitet 189 euro, kur dikur çmimi i një maske ishte vetëm 0.10 cent.
Shumëfishim të çmimit kanë pësuar dhe produktet higjeno-sanitare si Amuchina e njohur si një dizinfektant mjaft i fortë. Çmimi i këtij produkti 80 ml që deri më tani shitej me 3 euro, sot shitet në çmimin 22.5 euro.
Enti Italian për mbrojtjen e së drejtës së konsumatorëve ka informuar se zyrtarisht ka bërë një denoncim në Prokurorinë e Romës dhe tek autoritetet e Guardia di Finanza spekulimet që po bëhen me çmimet e këtyre produkteve.
“Nëse gjigandët e e-commerce nuk marrin masat për të eliminuar e bllokuar portalet online që realizojnë shitje të tilla, atëherë ata bëhen bashkëpunëtorë në këtë mashtrim që u bëhet konsuamatorëve“, thekson Enti italian i Konsuamtorëve.