Pas deklaratave në media rreth një muaj më parë nga ministri i Jashtëm në detyrë, Gent Cakaj, i cili u bëri thirrje disa prej konsujve të nderit që veprojnë në Shqipëri, për dorëzimin e targave të tyre diplomatike, duket se jo të gjithë kanë vendosur t’i “binden” urdhrave të ministrit.
I ftuar në “Opinion”, ministri deklaroi se disa nga konsujt e nderit nuk kanë pranuar të dorëzojnë targat diplomatike, përmes së cilave lëvizin lirshëm dhe iu garantohen privilegje të veçanta. Ai po ashtu nuk nguroi të thotë se këto targa janë keqpërdorur.
“Një pjesë e konsujve të nderit nuk iu janë përgjigjur thirrjes së për të dorëzuar targat e diplomatike. Sot kemi patur një takim me ministrin e Brendshëm për të bërë të mundur tërheqjen e këtyre targave diplomatike”, u shpreh Cakaj.
Mirpo në lidhje me faktin se nëse këto targa janë përdorur apo jo edhe për qëllime kriminale, ministri në detyrë tha se: “Nuk më takon mua për këtë. Unë kam ndërmarrë veprimet e mia administrative.”
Ndërkohë që bën me dije se numri i pasaportave diplomatike në Shqipëri është disa herë më i lartë se vendet më të fuqishme evropiane, Ministri i Jashtëm në detyrë Gent Cakaj po ashtu ka bërë me dije se do të ketë një refromë edhe për pasaportat diplomatike, të cilat sipas tij në vendin tonë janë lëshuar jashtë çdo standardi.