Shkarkoni aplikacionin e Fax Web

 


FlashOpinione&AnalizaTe FunditTe Gjitha

Takimi i fundit për një gjë të çuditshme…Dy fjalë për Gilmanin

Nga Gjergj Meta

Mendoj se hera e fundit që kam takuar Gilmanin ka qenë në Vorë. Kishim lënë një takim për një gjë të çuditshme. Unë do t’i jepja atij një copë të bardhë plastike që ne e përdorim si priftërinj për ta vendosur në këmishën e zezë e që na dallon se jemi priftërinj. Gilmani ma kishte kërkuar, sepse në karnevale donte të vishej si prift.

Mbaj mend që në atë kohë ai ishte përfshirë në një valë sulmesh virtuale nga persona të cilëve nuk u pëlqenin mendimet e Gilmanit rreth fesë dhe sidomos rreth shfaqjeve të ekstremizmit në disa shtete të Europës. Pikërisht në këtë klimë ai donte të bënte diçka, si për të thënë që unë e çoj deri në fund mendimin tim, se jam njeri i lirë dhe se, edhe fetarët mund të jenë objekt i shakasë dhe komicitetit. Mua m’u duk simpatike ideja e Gilmani që të vishej si prift, pasi shpesh i thoja që “…nganjëherë në qëndrime ti dukesh më prift se unë e unë dukem më laik se ti”. Ishte bashkë me të shoqen atë ditë dhe pimë kafen. Nuk e dija që do të ishte kafja e fundit me Gilmanin. Por ja, sot u mbush një vit që Gilmani nuk është më mes nesh.

Edhe pse marrdhënia ime me të nuk ka qenë shumë e dendur nga pikpamja e frekuentimit, kemi ushqyer një simpati të ndërsjellë. Mbaj mirë ndërmend sportivitetin e tij, edhe në mënyrën se si diskutonte apo shpaloste idetë e veta, përveç shëmbëllimeve të ecjeve të tija me biçikletë. Në fakt, ai ishte në një dinamikë të vazhdueshme si njeri e nuk ndalej lehtë. Në media u bë i njohur shumë për mendimet e tij, edhe pse shpesh media është një e pangopur që pasi të konsumon të hedh, kur nuk ka nevojë më për ty.

 Me Gilmanin, mbanim në një të përditshme, një rubrikë në të cilën për të njëjtën pyetje përgjigjeshim të dy, nga këndvështrime të ndryshme. Jo rrallëherë këndvështrimet tona puqeshin e herë të tjera ndaheshin, por gjithmonë ajo që karakterizonte ndërhyrjet ishte mirësjellja. E kam parë si një model përqasjeje ndaj temave të ditës së sotshme, pa pasur nevojë që të vendosemi për çdo gjë në llogore, por përreth një tavoline në të cilën, në fund të fundit, e dimë se rezultati është për të mirën e përbashkët ose për të keqen e përbashkët. Ndoshta në atë agora’, kështu quhej rubrika jonë, u dha një model sado i vogël e ndoshta periferik se si rreth gjërave mund të diskutohet, mund të jesh edhe me mendime ndryshe, apo edhe të kundërta e në fund mund të shtrëngohet dora e tjetrit pa pasur nevojë për anatemime të ndërsjellta. Kjo mënyrë e të bërit të diskutimit në sferën publike krijon për mendimin tim një lloj modeli larg klisheve të përplasjeve ideologjike që sjellin veçse konliktualitet.

 Kam në mendjen time shpesh njerëz që polemikën dhe diskutimin e kthejnë një fushëbetejë për jetë a vdekje, në një luftë, ku njerëzit ndahen në ata dhe ne. Në çdo njeri ka diçka që të përket dhe që është e mirë, e bukur dhe të pasuron. Të dëgjosh tjetrin me vëmendje, në të gjitha arsyet e tij, edhe kur është i mërzitur apo i zemëruar me gjithë botën, por edhe me ty, e të shikosh se gjithsesi aty ka diçka të mirë e të dashur ky është arti i dialogut.

Dialogu me Gilmanin, për aq sa zgjati, më sjell ndërmed pikërisht këtë hapje të tijën dhe lirinë në shprehjen e mendimit. Më dukej se atë e zemëronte fakti se dikush donte ta mbyllte në kujtë e fjalës së lirë. Kisha përshtypjen se kjo atë e bënte nervoz. Në fund të fundit, mund të kuptohet kjo gjë, sepse ne kemi pak ditë jetë secili e kur dikush të kuzon fjalën, të kuzon jetën dhe vitet. Gjërat duhen thënë e gjithmonë, pavarësisht nëse do të pëlqehen apo jo, deri aty sa ata nuk prekin dinjitetin e patjetërsueshëm të tjetrit. Por këtë hap drejt prekjes së dinjitetit të tjetrit më duket se Gilmani nuk e bëri kurrë, prandaj ndoshta sot i’a ndjejmë mungesën, e sidomos hapësira publike e cila ka nevojë për mendje të lira, me të cilat mund të mos jesh dakord gjithmonë e ndoshta asnjëherë, por që të ndjellin admirim dhe respekt./Politiko.al

Fjalët Kyce
Për t'ju bashkuar grupit të Faxweb.al në Facebook, klikoni Join Group
loading...

Artikuj të Ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.