Takimi mes Joe Biden dhe Vladimir Putin ishte i pari mes dy udhëheqësve që kur amerikani ka marrë detyrën e presidentit të 46-të të vendit të tij.
CNN risjell përmes fotove historike, takimet e mëparshme të zhvilluara mes presidentëve amerikanë dhe udhëheqësve sovjetikë, e më pas rusë, të cilësuar për të paktën 70 vite si dy njerëzit më të fuqishëm të botës.
Lideri sovjetik, Joseph Stalin, shtrëngon duart me Sarah Churchill, të bijën e kryeministrit britanik Winston Churchill, ndërsa qëndron pranë presidentit amerikan Franklin D. Roosevelt në vitin 1943. Stalin, Roosevelt dhe Churchill (djathtas) po takoheshin në ambasadën sovjetik në Teheran për të diskutuar për strategjinë e Luftës II Botërore. FOTO: Hulton Deutsch/Corbis Historical/Getty Images
Nga e majta, Churchill, Roosevelt dhe Stalin duke marrë pjesë në Konferencën e Jaltës në Bashkimin Sovjetik në vitin 1945. Ata po takoheshin për të folur për planin e Europës për pasluftë dhe riorganizimin pas rënies së Gjermanisë Naziste. Sot, shumë historianë kanë dalë në përfundimin se Stalin doli “fitimtar” nga Jalta, pasi pjesa dërrmuese e Europës Lindore do të binte shpejt nën petkun e Bashkimit Sovjetik. FOTO: Hulton Archive/Getty Images
Stalin dhe presidenti amerikan Harry Truman buzëqeshin gjatë Konferencës së Potsdamit në Gjermani, viti 1945. Gjermanët ishin dorëzuar së fundmi dhe shpejt do të vinte edhe dorëzimi i Japonisë. Në fund të konferencës, në Deklaratën e Potsdamit Japonisë iu dha një ultimatum, ku i kërkohej të dorëzohej ose të përballej me “shkatërrimin total”. Më pak se dy javë më vonë, mbi Hiroshima u hodh bomba bërthamore. FOTO: Library of Congress/Corbis Historical/Getty Images
Nga e majta, Churchill, Truman dhe Stalin shtrëngojnë duart gjatë Konferencës së Potsdamit. FOTO: AP