Gjatë fjalës së saj në Kuvend, ku po diskutohet akti normativ që lejon negociatat për vaksina të ndryshme, ministrja Ogerta Manastirliu tha se kjo i hap rrugë vaksinimit masiv. Manastirliu tha se derimë tani janë vaksinuar deri në 30% e mësuesve, ndërsa me vaksinat Sputnik, që mbërritën gjatë ditës së djeshme si dhuratë nga Dubai, do të vaksinohen të moshuarit +80 vjeç.
Manastirliu: Sot kemi filluar me vaksinimin e pedagogëve në Tiranë, nga dje ka vijuar në Vlorë dhe Gjirokastër, tashmë 30 përqind e mësuesve janë vaksinuar me Astrazeneca.
Dje ka mbërritur përmes një donacioni 10 mijë doza të vaksinës Sputnik, janë doza që po administrohen nga ISHP, do të vaksinohen të moshuarit +80. Akti normativ që ne po diskutojmë sot i hap rrugën negociatave të tjera,
Presim dhe doza të tjera nga Covax, si dhe nga Pfizer. Akti që miratojmë sot hap rrugën për kompanitë prodhuese, distributorë që kanë certifikime të duhura në mënyrë që të vijojmë me planin dhe të arrijmë te vaksinimi masiv.
Miratimi i këtij akti, është pozitiv, kemi mjaftueshëm të dhëna tashmë për sa i përket vaksinave që qarkullojnë në botë, kemi mundësi të diversifikojmë portofolin e vaksinave. Është e rëndësishme, po punojmë të kemi kapacitet deri kur të nisë vaksinimi masiv 12-15 mijë vaksinime në ditë.
Ka luftë brrylash në sigurimin e vaksinave, dhe qeveria është angazhuar për të pasur vaksinat në kohë të shpejtë ndaj dhe akti që miratojmë sot është dhënia e lejes për të vijuar negociata me ato vende dhe prodhues që kanë vaksina të certifikuara që të vijojmë procesin jetik. Kur bëhet fjala për jetën e qytetarëve , do kërkojmë çdo gjë të certifikuar.