AktualitetFlashKryesoreTe FunditTe GjithaVeç e Shuplakës

Superaksionet policore dhe rrjeta e shthurur e “peshqve të mëdhenj”

Prej kohësh është trumbetuar me të madhe kapja e “peshqve të mëdhenj”, madje ky ishte dhe lajtmotivi i reformës në drejtësi e cila do të sillte vënien në pranga të njërëzve të veshur me pushtet, përfshirë dhe funksionarë të lartë në politikë.

Maxhoranca e cila ishte në një valë me ndërkombëtarët për sa i përket rezultateve të reformës në drejtësi, madje vetë kryeministri Rama kishte paralajmëruar se ky ishte fundi për kriminelët dhe duhet të gjenin vrimë ku të futeshin.

Por ku jemi sot? A kanë rezultuar të suksesshme deri në fund  superaksionet e policisë për kapjen e “bosëve të krimit”?

Kapja e 613 kg kokainë në Durrës ditën e djeshme ishte një aksion për tu lavdëruar dhe u përshëndet edhe ndërkombëtarët, megjithatë ajo që bie në sy është se ky superaksion ka një ngjashmëri në një aspekt negativ me superaksionet e mëparshme të rëndësishme ku policia arreston element kriminal të “dorës së dytë” e poshtë.

Kështu edhe dje uniformat blu, nuk arritën dot të ndalojnë pronarin e kompanisë “Arbri Garden”, Arbër Çekaj,porositës i ngarkesës me banane, ku ishte fshehur edhe kokaina. Ishte paralajmëruar apo jo kjo nuk dihet por ai ishte larguar nga Shqipëria para se policia të kryente operacionin. Megjithatë ai deklaroi për mediat nga Gjermania se nuk ishte i përfshirë në trafikun  drogës.

Nëse hedhim një vështrim sipërfaqësor të rasteve më të bujshme dhe aksioneve që ka kryer policia bie në sy se të “shumëkërkuarit” ose kupola e atyre që kanë drejtuar aktivitetet kriminale kanë shpëtuar.

Rasti më i bujshëm është ai i Klement Balilit i shpallur në kërkim ndërkombëtar për trafik droge në 2016, arratisja e të cilit shkaktoi edhe akuza të forta ndërmjet opozitës dhe maxhorancës. “ Eskobari” i Ballkanit ia doli ti shpëtonte jo vetëm 1 herë policisë por disa herë. Policia ushtroi kontrolle edhe në hotelin e tij në Sarandë por Balili nuk gjendej asgjëkundi.

Ai akuzohet per trafikim sasish te mëdha droge ne Greqi, Belgjikë, Gjermani e Angli ndërsa para se të akuzohej për trafik droge ishte drejtor i shërbimit të transportit në Sarandë. Dosja për Balilin erdhi nga Greqia. Në lidhje mos-arrestimin e tij dyshohet edhe për dekonspirim të operacioneve të policisë.

Një tjetër superaksion i dështuar është ai për kapjen e tre ish-oficerëve të lartë të policisë në nëntor 2017 në Vlorë, të dyshuar si të përfshirë në trafikun e drogës me klanin ‘Habilaj’.

Ish-Drejtori i Policisë së Vlorës, Jaeld Çela, ish-shefi i Krimit të Organizuar në Vlorë, Gjergj Kohila dhe ish-Shefi i Postës Kufitare të Dhërmiut, Sokol Bode ishin larguar para se të ndërmerrej aksioni i policisë për kapjen e tyre. Vendodhja e tyre ende nuk dihet.

Akuzave për dekonspirim ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj do tu përgjigjej se tre ish-zyrtarët nuk ishin në vëzhgimin e policisë por duhej të pyetej Prokuroria se me kë i ka pasur në vëzhgim.

“Nuk kemi pasur dijeni. Tre ish-punonjësit e policisë nuk kanë qenë në vëzhgim nga Policia. Duhet të pyesni Prokurorinë se me kë i ka pasur në vëzhgim, jo me policinë”, do të shprehej Xhafaj.

Në lidhje me këtë ngjarje opozita akuzoi maxhorancën se i kishte larguar tre ish-oficerët që të fshihnin gjurmët që do të çonin deri tek ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, arrestimin e të cilit e bllokoi maxhoranca në Komisionin e Mandateve.

Një tjetër aksion i madh i policisë është dhe ai për arrestimin e të dyshuarve për abuzim me pronat në Spille. Por pak ditë para se prokuroria e Kavajës të kërkonte arrestimin e biznesmenit Idlir Karkini, ky i fundit është larguar nga Shqipëria.

Miku i politikanëve shqiptarë ka dalë nga Shqipëria duke udhëtuar në një vend të Europës, duke ju shmangur kështu arrestimit nga forcat e policisë.

Sipërfaqja e tokës së përvetësuar prej tij shërbente si poligon qitje nga Komanda Ajrore, por në mënyrë të kundraligjshme është regjistruar në hipotekë në emër të biznesmenit Idlir Karkini.

Hetimet po vijojnë ende dhe për persona të tjerë, jo vetëm zyrtarë, por edhe persona që kanë bërë aktet e shitjeve. Edhe këtë herë nuk u mor vesh nëse kishim të bënim me një operacion të dekonspiruar por Idlir Karkini u largua nga vendi rreth 1 javë para se të lëshohej urdhër-arresti për të.

Mbase këta, por të tjerë nuk janë vërtetë “peshqit e mëdhenj” për të cilët bëhet fjalë por pyetja lind natyrshëm: Nëse nuk u arrit të kapen këta, si do i bëhet për ata që janë edhe më “të mëdhenj”?

Për të mos folur për Lazaratin, një aksion me shumë bujë edhe në mediat ndërkombëtare por që rezultoi me arrestimin e Gate Mahmutajt dhe disa të tjerëve që qartësisht nuk ishin bosët e vërtetë të krimit. E megjithatë mbyllja e Lazaratit nuk i dha fund drogës në Shqipëri, por rezultoi me kanabizimin e një pjese të madhe të territorit të vendit.

Na mbetet ende të presim efektet e reformës në drejtësi dhe të shpresojmë  që rrjeta të mos rezultojë fatale vetëm për peshqit e vegjël.

Besnik Hallaçi /Faxweb.al

Fjalët Kyce

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *