Sulmuesi kavajas Tedi Cara është qëlluar me shishe në kokë nga një tifoz në “Kukës Arena”. Goditja i erdhi pasi Cara shënoi një gol duke kaluar Partizanin në avantazh, me një goditje dënimi në minutën e 16’.
Cara festoi dhe menjëherë shkoi drejt stafit të Partizanit, por në këtë moment një tifoz i Kukësit e gjuan me një shishe uji në fytyrë.
Ai u dëmtua poshtë syrit dhe u fashua, ndërsa trajneri Colella e zëvendësoi, pasi talenti kavajas e kishte të pamundur të vazhdonte lojën.
Tani Cara është transportuar drejt Spitalit të Kukësit për të marrë një trajtim më të specializuar. Futbollisti ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore
Në fund të ndeshjes, klubi i Kukësit ka reaguar menjëherë.
REAGIMI I KUKËSIT
FK Kukësi dënon ashpër ngjarjen e ndodhur sot në “Kukës Arena”, aty ku tifozët tonë goditën sulmuesin e Partizanit, Tedi Cara i cili pësoi dëmtim të konsiderueshëm në kokë. Klubi i Kukësit distancohet nga kjo ngjarje e turpshme e tifozerisë dhe i kërkon falje sulmuesit Cara dhe klubit të Partizanit e njëkohësisht i uron shërim të shpejtë lojtarit. Futbolli është një sport për të bashkuar dhe në një qytet si Kukësi që karakteristikën kryesore ka mikëpritjen, sjellje të tilla nuk kanë hije.
Klubi i Kukësit i bën thirrje Policisë së Shtetit dhe autoriteteve kompetente duke iu ardhur në ndihmë me pamjet filmike të stadiumit që të japin dënimin sipas ligjeve për autorin e këtij incidenti.
Zyra për shtyp
Futboll Klub Kukësi