Olta Xhaçka dhe Niko Peleshi janë betuar në institucionin e Presidentit të Republikës për postet e reja në kabinetin qeveritar. Ceremonia u mbajt pasi Kuvendi votoi pro emërimit të Xhaçkës si Ministre për Evropën dhe Punët e Jashtme, Peleshit si Ministër i Mbrojtjes.
Pas ekzekutimit të himnit kombëtar, Ministrja Xhaçka dhe Ministri Peleshi u betuan me dorën mbi Kushtetutë para Kreut të Shtetit: “Betohem në nderin tim, se do të zbatoj me përpikëri Kushtetutën dhe ligjet, si dhe do të kryej me përgjegjësi detyrën shumë të rëndësishme që më është besuar, të anëtarit të Këshillit të Ministrave”.
Presidenti i Republikës, Ilir Meta u dorëzoi dekretet përkatëse të emërimit Ministres Xhaçka dhe Ministrit Peleshi, duke u uruar suksese në detyrat e tyre të reja e të rëndësishme. Në ceremoninë e betimit ishin të pranishëm Sekretari i Përgjithshëm i kryeministrisë, Engjëll Agaçi si dhe anëtarë të Kabinetit të Presidentit.