Transparenca dhe llogaridhënia e qeverisë shqiptare ka pësuar përkeqësim nga viti i kaluar me një rënie prej 3% duke u renditur e katërta në 6 vendet e rajonit.
Të gjitha qeveritë e Ballkanit kanë paraqitur regres në nivele të ndryshme me përjashtim të Maqedonisë.
Madje sipas raportit të rrjetit të organizatave të Shoqërisë Civile në vendin tonë qeveria shënon shifrat 0% të transparencës kur flitet për veprimtari që lidhen me paratë e shtetit.
“Të gjitha qeveritë e rajonit kanë paraqitur regres në nivele të ndryshme, me përjashtim të Maqedonisë. Në kuadër të hapjes dhe transparencës ne renditemi të katërtit në rajon. Një nga problemet që është vënë re është mungesa e stafit të kualifikuar dhe të njohura me politikën e transparencës. Në faqen zyrtare të qeverisë shqiptare nuk gjendet asnjë informacion në lidhje me transparencën buxhetore të qeverisë apo edhe të shtetit. Mungojnë tabelat fillestare të buxhetit, raportet e ndërmjetme të shpenzimeve buxhetore, gjendja e borxhit publik, si dhe tabelat e shpenzimeve faktike vjetore në krahasim me planifikimet e bëra – “ tha Aldo Merkoçi i Lëvizjes MJAFT.
Por përveç ekzekutivit, edhe ministritë në krahasim me vendet e rajonit kanë mungesë transparence dhe përformancë të dobët, duke lënë pas vetëm Bosnjë-Hercegovinën dhe Kosovën.
“Ministria e cila ka rezultuar me performacën më të mirë është ajo e Kulturës, ndërsa performancën më të ulët e ka ministria për Europën dhe Punët e Jashtme”, tha Merkoçi.
Gjithashtu sipas këtij raportit, 29% e institucioneve të ekzekutive nuk kanë një ëebsite.
Ndërsa Agjencia e Mbikëqyrjes së Falimentit dhe Agjencia Rajonale e Sistemit Shëndetësor kanë performancën më të dobët me 0% të hapjes institucionale.
Për të realizuar këtë studim Rrjeti i organizatave të Shoqërisë Civile në rajon janë marrë në shqyrtim 80 tregues për 275 institucione, duke mbledhur 15 mijë të dhëna në periudhën Dhjetor 2017-Shkurt 2018.