Një studim i Numbeo-s, portalit më të madh të të dhënave mbi cilësinë e jetës, disa ditë më parë, ka treguar se Tirana vijon të jetë një ndër qytetet më të ndotura në Europë. Numbeo vlerëson se për 6-mujorin e këtij viti, Tirana është kryeqyteti më i ndotur i Europës dhe i treti si qytet, duke shënuar 83.72 pikë, nga 82.8 që përllogaritej në fillim të këtij viti.
Për të folur për këtë çështje, në studion e Fax News, është ftuar eksperti i mjedisit, Rodion Gjoka. Ai tha se burimi i ndotjes në kryeqytet vjen nga sektori i ndërtimit dhe i transportit.
“Po thithim ajër të ndotur. Burimet e ndotjes në Tiranë, vjen nga sektori i ndërtimit dhe i transportit. Në vend, nuk po ruhet një balancë me ndërhyrjet në infrastrukturë.
Disa nga zonat më të ndotura janë “21 dhjetori”, “Kryqizimi i Rrugës së Elbasanit”, vazhdojnë për vite të jenë më të ndotura. Ne po realizojmë një monitorim tonin në Tiranë dhe në disa qytete të tjera të vendit, për të maturë shifrat e ndotjes së ajërit, dhe ndotjes akustike. Përveç ndotjes së ajrit, kryeqyteti vuan edhe nga ndotja akustike. Zhurmat janë shqetësuese më shumë në pjesën e natës”
Gjoka shprehet se duhen marrë masa konkrete për ndotjen duke gjetur edhe burimin se nga vjen ky fenomen.
“Duhen marrë masa konkrete për ndotjen. Studimi i Numbeos është një tregues i saktë i gjendjes ku jemi, thjesht na mbetet ta pranojmë dhe duhet të hartojmë masa për gjetur edhe burimin se nga vjen kjo ndotje. Burimet e ndotjes këtu në vend, janë evidente, burojnë nga procese që kryen nga njerëzit me vetëdije. E vetmja hallkë që mungon për të parandaluar ndotjen, është raportimi dhe marrja e masave. Pemët janë një zgjidhje. Pemët në vetvete kanë një aftësi shumë të rëndësishme për të thithur ndotësit, për të çliruar oksigjenin. Pemët zbusin deri në një farë mase ndotjen. Pak njësi banimi kanë nga një park të vogël me pemë. Si rregull është, që çdo banorë, duhet të ketë 4 m2 hapësirë të gjelbër. Por aktualisht, në Tiranë matet diku tek 0.7 ose 0.9 m2 për banorë. Tirana është e gjelbëruar jashtë saj, si përshembull Dajti. Por në zonat e banuara, nuk ka mjaft hapësira të gjelbëra.