Shkarkoni aplikacionin e Fax Web

 


BotaFlashTe FunditTe Gjitha

Strobe Talbott: Çfarë më tronditi ishte paturpësia me të cilën Putin gënjente për Kosovën

Kur në qershor 1999 trupat ruse pushtuan Aeroportin e Prishtinës, diplomati amerikan Strobe Talbott takoi Vladimir Putinin në Moskë. Në librin e saj të sapo botuar «Bota e Putinit» («Putins Welt», Berlin Verlag) gazetarja gjermane Katja Gloger përshkruan bisedën mes Talbott-it dhe Putinit.

Negociatori i Bill Clinton-it, zëvendëssekretari i shtetit Strobe Talbott, gjendej në Moskë kur trupat ajrore ruse zaptuan Aeroportin e Prishtinës, para se trupat e NATO-s të kalojnë kufirin me Kosovën. Gjenerali amerikan Wesley Clark dëshironte të bllokonte pistën për aterrim. Vetëm intervenimi i gjeneralit britanik dhe komandantit në vendin e ngjarjes, Michael Jackson, evitoi ballafaqimin ushtarak që po kërcënonte. «Zotëri, shkaku juaj nuk do të filloj Luftën e Tretë Botërore».

Në Moskë Strobe Talbott u takua me këshilltarin e ri rus të sigurisë: Vladimir Putin. Më vonë Talbott e kujtoi këtë pjekje si një «takim të neveritshëm». Një njeri, i ftohtë, profesional dhe sipërfaqësisht i sjellshëm, i cili pothuaj nuk dëshironte të fshihte «përbuzjen e kontrolluar» të tij. «Por çfarë më tronditi me të vërtetë, ishte gjakftohtësia arrogante dhe paturpësia me të cilën Putin gënjente. Ai duhej ta dinte saktësisht se çfarë kishin ndërmend ushtarakët rusë në Kosovë. Por ai bëhej sikur gjithçka po shkon sipas planit. Madje ai na tha se kurrë s’kishte dëgjuar për gjeneralin Ivashov. Bash gjenerali Ivashov ishte përfaqësuesi me rang më të lartë ushtarak i delegacionit, i cili negocionte për armëpushimin». Në kujtimet e tij Boris Jelcini më vonë shkroi se ai e kishte miratuar planin e ushtarakëve të tij për të marrë Aeroportin e Prishtinës: «Ne ishin të obliguar për një gjest të fundit autonom… Qëllimi ishte të tregohej: Rusia nuk ka lejuar të mposhtet moralisht dhe të tërhiqet në luftë».

Ashtu siç ia hapi sytë qeverisë amerikane sjellja e Putinit, edhe sulmet ajrore të NATO-s vërtetuan të gjitha gjykimet e palës ruse. Ekspertja amerikane e Rusisë Fiona Hill këtu e sheh një pikë kthesë edhe për Putinin personalisht: «Ndërhyrja ushtarake nuk u perceptua si përpjekje për të zgjidhur një krizë humanitare, por si mjet për të shtuar ndikimin e NATO-s në Ballkan. Pas kësaj u bë një rivlerësim i bashkëpunimit me NATO-n dhe SHBA-të».

Nga zemërimi personal apo nga kalkulimi i esëllt nacionalist: edhe 15 vite më vonë Putini, në fjalimin e tij mbi futjen e Krimesë nën kontroll, iu referua krizës së Kosovës: «Ndonëse është dashur ta shoh me sytë e mi, ka qenë e vështirë të besosh se në fund të shekullit të 20-të një kryeqytet europian, Beogradi, me javë të tëra u gjend nën goditjen e raketave… SHBA-të parapëlqejnë që në politikën e tyre praktike të mos i përmbahen të drejtës ndërkombëtare, por t’i përmbahen ligjit të forcës». Enver Robelli/dialogplus

 

 

 

Fjalët Kyce
Për t'ju bashkuar grupit të Faxweb.al në Facebook, klikoni Join Group
loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *