Kryeministri japonez, Shinzo Abe, thotë se ka arritur një marrëveshje me Presidentin e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Thomas Bach, për të shtyrë me një vit Lojërat Olimpike “Tokyo 2020”, raporton CNN.
Olimpiadat ishin eventi i vetëm madhor i sportit që nuk ishte shtyrë zyrtarisht, me organizatorët që kishin dilema në momentet e fundit.
Me sa duket, edhe Komiteti Olimpik u dorëzua përballë koronavirusit. Sipas gazetës USA Today, që referon një bisedë me anëtar të rëndësishëm të Komitetit si Dick Pound, “ Olimpiadat e Tokyos nuk do të mbahen këtë vit por do të shtyhen për vitin 2021”.
“Në bazë të informacioneve që kemi, shtyrja është vendosur, detajet nuk janë përcaktuar, por Olimpiada nuk ka për të filluar më 24 korrik”, shtoi Pound gjatë një bisede telefonike me USA Today.
Vendimi erdhi vetëm pak orë pasi kryeministri japonez, Shinzo Abe foli rreth faktit se shtyrja e Olimpiadës është “e paevitueshme, sepse bota mbetet e angazhuar në betejën kundër pandemisë së koronavirus. Në fjalimin përpara Parlamentit, Abe konfirmoi vullnetin e Japonisë për organizimin e “Tokyo 2020”, por shtoi: “Nëse situata nuk ndryshon dhe duke vendosur si prioritet shëndetin e atletëve, mund të bëhet e pashmangshme që Olimpiada të shtyhet”.
(E.K/Faxweb.al)