Një spital në Rumani ku po qëndronin personat e prekur me COVID-19 është përfshirë nga flakët dhe si pasojë 10 persona kanë humbur jetën dhe shtatë të tjerë janë në gjendje kritike.
Zjarri është përhapur në repartin e kujdesit intensiv të caktuar për pacientët e infektuar me COVID-19 në spitalin publik të qytetit Piatra Neamt, bëjnë me dije mediat.
Ministri rumun i Shëndetësisë, Nelu Tataru, ka thënë se zjarri mund të jetë shkaktuar si pasojë e ndonjë lidhjeje të shkurtër elektrike. Mes personave që kanë mbetur të lënduar është edhe një mjek, i cili ka pësuar djegie të rënda në pjesën më të madhe të trupit, dhe është transportuar drejt Bukureshtit me një aeroplan ushtarak, raportojnë mediat lokale.
Ndërkohë që ministri është shprehur se dhe të tjerë infermierë kanë mbetur të lënduar prej flakëve, ndërsa pacientët e mbijetuar janë dërguar në një tjetër spital .
Tetë prej viktimave thuhet gjetën vdekjen në dhomën ku shpërtheu zjarri në katin e dytë dhe dy të tjerë në një dhomë pranë tij. Të gjithë personat ishin duke marrë trajtim për koronavirusin, dhe pjesa më e madhe e tyre ishin në trajtim me oksigjen.
Zjarri dyshohet se është përhapur shpejt pasi u ushqye me oksigjen nga furnizimet e përdorura për të intubuar pacientët, tha ministria e shëndetësisë.
Rumania ka raportuar më shumë se 350,000 raste të koronavirusit që nga fillimi i pandemisë dhe 8,813 vdekje. Të premten, vendi regjistroi 9,489 raste të reja Covid ditor, 174 vdekje dhe 1,149 pacientë në kujdes intensiv.
(E.K/Faxweb.al)