Ministri i Shëndetësisë së Spanjës, Salvador Illa ka zbuluar planin e vaksinimit që do të nisë në muajin Janar. Kategoria e parë që do të marrë vaksinën falas do të jenë banorët e moshuar dhe punonjësit në azilet e pleqve.
Në total do të jenë 18 grupe njerëzish që do të marrin vaksinat në qendrat lokale të shëndetit publik të Spanjës. Spanja synon të vaksinojë falas një pjesë të konsiderueshme të popullsisë brenda gjashtë muajve të parë të vitit 2021.
Objektivi është “të jemi gati si një vend për të vaksinuar që nga momenti i parë që fillojmë të marrim doza vaksinimi”, tha ai në një konferencë shtypi.
Qeveria shpreson të marrë dozat e para të vaksinimit në janar, shtoi ministri duke theksuar se numri do të jetë i kufizuar në muajt e parë.
Përmes marrëveshjeve të kryera nga Komisioni Evropian me ofruesit kryesorë të vaksinave të mundshme COVID-19, Spanja shpreson të marrë gjithsej 140 milion doza vaksinimi, ose një shifër të mjaftueshme për të vaksinuar 80 milion njerëz në një vend që ka 47 milion banorë. (A.M/Faxweb.al)