Ditën e sotme u mbajt virtualisht mbledhja e Komisionit të Ligjeve edhe pse vendi gjendet në kulmin e fushatës elektorale. Në hapjen e mbledhjes kryetari i Komisionit Ulsi Manja, përkujtoi i prekur kolegun e tij Bashkim Fino i cili ndërroi jetë pak ditë më parë nga infektimi me Covid-19.
Në mungesë të mundësisë për mbajtjen e një minutë heshtjeje gjatë mbledhjes të zhvilluar online për shkak të protokollit anti-Covid, në nder të Finos u paraqit një video me momente të politikanit.
“Sot në këtë mbledhje Komisioni mungon njëri prej nesh, një njeri i pazëvendësueshëm për të gjithë kontributin e tij në vitet e vështira të Shqipërisë por edhe si deputet i Kuvendit të Shqipërisë dhe posaçërisht anëtar i Komisionit të Ligjeve.
Mungon Bashkim Fino. Fino, në radhë të parë i mungon familjarëve të tij, por sigurisht edhe miqve edhe ne kolegëve.
Unë jam i bindur që Bashkimi është bashkë me ne, mbase na vëzhgon nga lart, na kritikon ne kolegëve të tij që të ecim më shpejt, jam i bindur që do t’ja dalim edhe për Bashkimin”, tha Manja, i prekur tërësisht.
Linuk i videos: https://fb.watch/4Q1ONe3xEF/