Donika Prela ka mbërritur sot në seancën publike në KPA, pas dy seancash mungesë. Nuk dihet ende nëse do të merret vendimi final ndaj saj, ndërsa Komisioneri publik ka deklaruar në seancë se përmes deklarimeve, Donika Prela nuk arriti të provojë që pasuria ishte me burime të ligjshme, ndaj e cilëson deklarimin të pamjaftueshëm dhe të pasaktë.
Në të dy rastet e kërkesave për përjashtim të trupit gjykues, komisioneri publik i vlerëson si përpjekje për vonimin e këtij procesi. Në seancën e KPA, Komisioneri publik ka kërkuar shkarkimin nga detyra të Donika Prelës.
Në seancën e kaluar, Prela nuk ishte e pranishme për shkak se sipas saj kishte të sëmurë një person të afërt.
Pak kohë më parë KPA vendosi të rihapë hetimin gjyqësor për ish-drejtuesen e Prokurorisë për Krímet e Rënda, Donika Prela, pas konfirmimit të saj në shkallën e parë të Vetingut në KPK. Rihapja e hetimeve u bë pas kërkesës së Institucionit të Komisionerit Publik, pas disa pasaktësive lidhur me deklarimin e të ardhurave të saj dhe vendimi që do të merret nga KPA është i pakthyeshëm.
Donika Prela më pas doli kundër trupës së gjyqtarëve të KPA-së, duke kërkuar përjashtimin e Natasha Mulës dhe të Ina Ramës, duke kërkuar përjashtimin e tyre, por me vendim unanim KPA vendosi kundër kësaj kërkese.(A.M/Faxweb.al)