Shkarkoni aplikacionin e Fax Web

 


AktualitetFlashKosovaTe FunditTe Gjitha

Sot mbahet seanca e parë e Kuvendit të Kosovës, kush do zgjidhet kryeparlamentar dhe si do formohet qeveria

Sot (e hënë) mbahet seanca konstituive e legjislaturës së tetë të Kuvendit të Kosovës, duke i hapur rrugë formimit të ekzekutivit të ri. Seanca do të udhëhiqet nga deputeti më i vjetër në moshë, Avni Dehari (Lëvizja Vetëvendosje) dhe deputetja më e re, Adelina Grainca (Partia Demokratike e Kosovës).

Të 120 deputetët e zgjedhur më 14 shkurt do të bëjnë betimin dhe më pas do të zgjedhin kryetarin dhe pesë nënkryetarët e kuvendit. Fituesja e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje, pritet që për kryetar të kuvendit të nominojë Glauk Konjufcën.

Konjufca edhe pas zgjedhjeve të 6 tetorit, 2019 ishte zgjedhur në këtë post, të cilën e mbajti për një kohë të shkurtër, duke ia liruar vendin Vjosa Osmanit dhe vetë kaloi në udhëheqjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

Me zgjedhjen e kryetarit të ri të kuvendit, që pritet të ndodhë në seancën konstitutive të 22 marsit, Kosova do të ketë edhe ushtruesin e ri të detyrës së presidentit.

Konstituimi i kuvendit i hap rrugë formimit të Qeverisë së re dhe zgjedhjes së presidentit të ri të Kosovës.

Sipas Kushtetutës, presidenti i Kosovës i propozon kuvendit kandidatin për kryeministër, i cili jo më vonë se 15 ditë pas emërimit, paraqet përbërjen e qeverisë para kuvendit për votim.

Lëvizja Vetëvendosje synon që menjëherë pas konstituimit të kuvendit, të procedohet me formimin e qeverisë, për të cilën nevojiten 61 vota.

Në zgjedhjet e 14 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit fitoi 50.28 për qind të votave apo 58 ulëse të kuvendit. Partia Demokratike e Kosovës ka 19 deputetë, Lidhja Demokratike e Kosovës 15 dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka tetë deputetë.

Nga komunitetet, Lista Serbe i ka fituar të dhjetë ulëset e garantuara; dy ulëse i ka fituar Partia Demokratike Turke e Kosovës dhe nga një ulëse kanë fituar partitë boshnjake Koalicioni Vakat, Partia e Re Demokratike, Unioni Socialdemokrat, sikurse edhe Partia Gorane, Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës, Partia e Ashkalinjëve për Integrim, Iniciativa Rome, Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës.

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se qeverinë do ta formojë me partitë e komuniteteve joserbe, duke përjashtuar kështu partitë shqiptare dhe Listën Serbe. Edhe në Qeverinë Kurti 1, Lista Serbe nuk kishte qenë pjesë e koalicionit qeverisës, por siç ia garanton edhe Kushtetuta, kjo parti që përfaqëson komunitetin serb, kishte udhëhequr dy ministri.

Megjithatë, presidentin e ri të shtetit, LVV-ja nuk mund ta zgjedhë e vetme. Për këtë post, kjo parti ka nominuar Vjosa Osmanin, e cila në zgjedhjet e 14 shkurtit fitoi më së shumti vota, përkatësisht mbi 300 mijë vota. Osmani që nga nëntori i vitit 2020 është ushtruese e detyrës së presidentit të Kosovës, pas konfirmimit të aktakuzës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nga Dhomat e Specializuara në Hagë ndaj, tashmë ish-presidentit, Hashim Thaçi.

Osmani dhe Kurti javën e kaluar kanë mbajtur takime konsultative me të gjithë përfaqësuesit e partive parlamentare, duke iu kërkuar atyre edhe votën për presidentin e ri.

PDK-ja ka thënë se nuk do ta votojë Osmanin për presidente, pasi e ka konsideruar atë si figurë “përçarëse”, ndërkaq AAK-ja e Ramush Haradinajt – i cili në zgjedhjet e 14 shkurtit bëri fushatë duke synuar postin e presidentit – ka thënë se i takon Osmanit dhe Kurtit që t’i bëjnë votat për ta zgjedhur kreun e shtetit.

Ish-partia e Osmanit, Lidhja Demokratike e Kosovës, ende nuk e ka bërë të qartë se si do të veprojë për zgjedhjen e presidentit. Kreu i kësaj partie, Lumir Abdixhiku, ka paralajmëruar një takim të ri me Osmanin, për të parë, siç ka thënë ai, qasjen e ish-bashkëpartiakes së tij ndaj LVV-së, partive opozitare dhe nismës politike që ajo ka paralajmëruar.

Ndërkaq, partitë e komuniteteve joserbe kanë shprehur mbështetjen e tyre për t’ia dhënë një mandat të plotë në krye të shtetit, ushtrueses aktuale të postit të presidentit, Vjosa Osmanit.

Sipas Kushtetutës, që një person të zgjidhet president i Kosovës, në dy raundet e para të votimit duhet të sigurojë dy të tretat e votat (80) të Kuvendit të Kosovës prej 120 ulësesh. Ndërkaq, në raundin e tretë, president zgjidhet ai që merr shumicën e thjeshtë prej 61 deputetësh, por në votim duhet të marrin pjesë të paktën 80 deputetë.

Nëse edhe raundi i tretë dështon, vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditësh.

Ekspertë kushtetues janë të ndarë lidhur me atë se a do të ketë kryetari i ri i kuvendit, mandat të ri gjashtëmujor si ushtrues detyre i presidentit, apo i njëjti duhet ta përfundojë atë më 5 maj.

Ish-anëtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu vlerëson se kryetari i ri kuvendit, do të ketë mandat të përkohshëm gjashtëmujor.

Megjithatë, me këtë konstatim nuk pajtohet ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese Enver Hasani, i cili thotë se mandati gjashtëmujor, përfundon më 5 maj dhe nuk ka mandat shtesë./REL

Për kë do të votoni në zgjedhjet e 25 prillit?
  • Koalicioni i udhëhequr nga PD 52%, 7123 votes
    7123 votes 52%
    7123 votes - 52% of all votes
  • PS 29%, 3960 votes
    3960 votes 29%
    3960 votes - 29% of all votes
  • Nuk do të votoj 9%, 1277 votes
    1277 votes 9%
    1277 votes - 9% of all votes
  • LSI 5%, 665 votes
    665 votes 5%
    665 votes - 5% of all votes
  • Të tjera 4%, 565 votes
    565 votes 4%
    565 votes - 4% of all votes
Total Votes: 13590
19/03/2021
Për t'ju bashkuar grupit të Faxweb.al në Facebook, klikoni Join Group
loading...

Artikuj të Ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.