Avokati mbrojtës i Arben Malajt, Jordan Daci shpërtheu në akuza pak minuta më parë kundër qeverisë lidhur me procesin që ka nisur për shkarkimin e anëtarit të Bankës së Shqipërisë.
Duke folur për “FaxNews”, Daci i akuzoi Kuvendin dhe qeverinë se po tentojnë të shkarkojnë Malajn pa pasur asnjë provë. Madje ai e krahasoi procesin me shkarkimin e një kryetari kooperative. Jordan Daci nuk kurseu as ironinë gjatë intervistës së dhënë për gazetaren Mirilda Tili.
“Nuk mundet që ne të shkarkojmë një anëtar të Bankës së Shqipërisë si të ishte kryetar i kooperativës. Mbledhja nuk është e zakonshme, është procedim disiplinor. Në këtë kuptim, nuk mund të bëjnë procedim disiplinor siç jua do qejfi atyre.
Ata mua nuk më dhanë fjalën as për procedurë dhe nuk mund të vazhdonte diskutimi pa u shprehur për kërkesat tona paraprake. Nga ana tjetër, bëhet fjalë për një akuzë që duhet të jetë specifike. Nuk mund t’i thuash tjetrit ti se mua nuk më pëlqen modeli yt i flokëve. Ata nuk kanë prova. Nuk kanë asgjë në ato tek të cilat ata referohen.
Kjo është një dalldisje e një mazhorance të çmendur që do të na çmendë edhe ne të tjerëve meqë ata janë çmendur. Janë 28 deputetë që kanë firmosur për shkarkimin e Malajt. Ka edhe vendimin e qeverisë”, deklaroi avokati.
Sipas tij, seanca e sotme e mbajtur në Komisionin e Ekonomisë ishte një film sepse vendimi është marrë që më herët dhe të gjithë janë dakordësuar me të.
“Kuvendi ka një vendim të marrë, sot u luajt thjesht një film, ishte mëse e dukshme që vendimi ishte i marrë. Ata do kishin dashur që të ishte sa më i shkurtër dhe me sa më pak bujë. Jam i sigurt që do të kalojë pa problem edhe në Parlament”, u shpreh ai.
Daci dha alarmin kur deklaroi se shkarkimi i Arben Malajt e vendos Bankën e Shqipërisë në pozita të vështira dhe cenon punën e saj. Sipas tij, me këtë lëvizje qeveria po i bën gropën vendit.
“Shkarkimi i zotit Malaj është paralajmërim për të gjithë antarët e tjerë që të rrinë urtë. Kjo do të thotë se Bankës së Shqipërisë i kanoset pavarësia. Kur i kanoset pavarësia këtij institucioni kur Banka e Shqipërisë po përfshihet në operacione shumë të rëndësishme, kur borxhi ka dalë jashtë çdo kontrolli, e kuptoni çdo të thotë të mos kesh Bankën e Shqipërisë të pavarur?
Kjo do të thotë se kjo qeveri jo vetëm të bën gropën për momentin, por edhe për 20 vitet e ardhshme. Prandaj thash mos luani me Bankën e Shqipërisë. Sot ka nevojë për një Këshill Mbikëqyrës aktiv. Bankën e Shqipërisë ne duhet ta shohim si të paprekshëm sepse mund ta shohim vendin në situata të paimagjinueshme. Edhe një punonjës që është roje dere nuk shkarkohet në këtë mënyrë sepse minimumi i thuhet se çfarë shkelje ke bërë.
Jo më kot ky ligjvënës e ka bërë këtë rregull në ligj sepse prezumohet që pavarësia e Bankës së Shqipërisë është më e rëndësishme sesa orekset ditore mes qeverisë dhe një anëtari. Kjo është kambana e alarmit që unë ngre në këtë rast”, tha Jordan Daci.
Ai bëri të ditur edhe hapat e radhës që do të ndërmarrin bashkë me zotin Arben Malaj. Avokati deklaroi se ata do t’i drejtohen Gjykatës së Strasburgut, ndërsa do të ketë edhe padi për shpifje.
“Do të shihet mundësia e Gjykatës së Strasburgut. Do të kërkohen shumë gjëra, sigurisht që zoti Malaj po mendohet edhe për një padi për shpifje sepse akuzohesh pa pasur asnjë provë.
Është një Kuvend që bazohet tek thashethemet dhe merr vendime tek thashethemet dhe thashethemexhiu në këtë rast është qeveria”, deklaroi avokati Jordan Daci.
(M. I./ Faxweb.al)