Spitali COVID 3 është në prag të hapjes ndërsa shifrat e të infektuarve janë në rritje në vendin tonë.
Por përpos kësaj Ministria e Shëndetësisë parashikon që vjeshta dhe dimri do të sjellin ‘fluks’ të shtruarish me COVID 19 në spitale ndërsa ka nisur puna për rekrutimin e personelit shëndetësor që do të nevojitet në të gjithë strukturat e ngritura për të përballuar pandeminë.
“Jemi duke u përgatitur për të patur burime njerëzore të nevojshme për strukturën e spitalit COVID3, pra ish-kirurgjitë dhe për spitalin COVID4 që është në aksin Tiranë-Durrës. Ka filluar rekrutimi dhe trajnimi i stafit. QSUT-së i janë shtuar 50 punonjës, një pjesë tashmë janë rekturuar dhe një pjesë janë në rekrutim e sipër. Do të kryejnë dhe trajnimet e nevojshme dhe do të kombinohen me stafe të tjera me eksperiencë”, tha Manastirliu, gjatë inspektimit të spitalit COVID 3.
Ndërsa përgjegjësi për burimet njerëzore për situatën e pandemisë, prof. Arben Gjata u shpreh se: “Kemi një plan të organizuar për përfshirjen që nga vullnetarët që kemi në listë, gjithashtu do të aktivizohen të gjithë stazhierët e disa specialiteteve, duke i kombinuar me mjekë me eksperiencë nga shërbime të tjera, në shërbimet për pacientët COVID”.
Gjithashtu Manstirliu ka përsëritur apelin e zakonshëm për qytetarët:
“Kërkojmë bashkëpunimin e qytetarëve për të bërë kujdes në përditshmeri me 3 masa të thjeshta: mbajtja e maskës, distanca dhe higjiena personale, të vetmet armë që kemi në dorë për ta luftuar këtë virus”.