Kryesia e LSI-së në qarkun e Shkodrës ka reaguar pas njoftimit të Policisë se ka arrestuar një person që i janë gjetur rreth 5 milionë lekë të vjetra, dhe ka nisur hetimet për kryetarin e LSI-së në Pukë, nën akuzën e shitblerjes së votave.
Nëpërmjet një deklarate LSI thekson se çdo subjekt politik orienton qytetarët sesi të votojnë, sa kohë që bëhet fjalë për një fletë që nuk është përdorur në zgjedhje të mëparshme.
Policia tha se ka arrestuar në flagrancë shtetasin Vasil Shabani, pasi nga kontrolli i ushtruar në mjetin e tij tip Nisan u gjetën një shumë prej 528.000 Lekë (te rinj) dhe një fletë e ngjashme me fletën e votimit.
Gjithashtu në vijim të veprimeve hetimore u procedua në gjendje të lirë Kryetari i LSI për Bashkinë Pukë, shtetasi Demir Syla.
Deklaratë e kryesisë së LSI Qarku Shkodër
Dega e LSI qarku Shkodër informon e sqaron opinionin publik se ngjarja e ndodhur ne Pukë, ku aktivistë të LSI janë marrë nën hetim nga policia është një situatë që tregon politizimin e tejskajshëm të policisë së Rilindjes.
Aktivistët tanë janë në të drejtën e tyre për të bërë ushtrime zgjedhore, në vijim edhe të praktikave dhe orientimeve të Komisionit Qëndror të zgjedhjeve për mënyrën e votimit. Është skandaloze dhe e turpshme të dërgosh për ndjekje penale aktivistë politikë të cilët duan të bëjnë të njohur mënyrën e votimit, aq më shumë që është një skemë e re, e papërdorur më parë.
Fletët e gjetura janë demonstrative dhe nuk kanë si të jenë origjinale, kur ato akoma nuk janë prodhuar. Ato janë thjesht dhe vetëm orientuese dhe natyrshëm përdoren nga të gjithë subjektet politike.
I bëjmë thirrje policisë të ndalë këtë revansh të turpshëm dhe antiligjor, dhe të investohet e angazhohet në kryerjen e detyrave të veta funksionale. Dega e LSI Qarku Shkoder.
(E.K/Faxweb.al)