Pas publikimit të skandalit për trukimin e ndeshjeve ka emisioni investigativ “Fiks Fare”, ka reaguar Federata Shqiptare e Futbollit.
Në videon e publikuar, doli qartë se menaxheri Drini Çaushi, ka telefonuar mesfushorin Emiliano Vila, duke i ofruar para në këmbim të tolerimit në fushën e lojës, pikërisht në ndeshjen e rëndësishme për titullin kampion.
Në momentin kur i ofron para, i përmend edhe emrat e drejtuesve të ekipit të Kukësit, menaxherit të përgjithshëm Naim Halili dhe presidentit Safet Gjici.
FSHF shkruan se Drini Çaushi nuk ishte pjesë e strukturave të klubit të Kukësit, megjithatë u bën thirrje si futbollistit Vila, ashtu edhe klubit të Partizanit, që të denoncojë rastin në organet hetimore përkatës.
Reagimi i FSHF-së:
Federata Shqiptare e Futbollit dënon me forcë veprimin më të fundit të zbardhur në emisionin investigativ “Fiks Fare”, për videon e bërë publike me tentativë, manipulimin e futbollistit të Partizanit Emiliano Vila.
Personi në fjalë, që sipas videos quhet Drini Çaushi nuk rezulton të jetë pjesë e asnjë klubi, apo shoqate te futbollit shqiptar. Federata e Futbollit është e vendosur në luftën e saj për mbrojtjen e pastërtisë së lojës nga persona, apo grupe personash. Bashkërisht duhet të kontribuojmë në eliminimin plotësisht të fenomeneve te tilla, shumë të dëmshme për lojën dhe integritetin e garave.
Në të njëjtën kohë i bëjmë thirrje dhe inkurajojmë, si lojtarin prezent në video, ashtu edhe klubin, që të denoncojnë këtë rast në organet kompetente hetimore për t’i shkuar deri në fund një rasti që kërkon zbardhje të menjëhershme. (D.D/Shuplaka)