Në vijim të hetimeve për korrupsionin në spitalin “Shefqet Ndroqi”, prokuroria e Tiranës, do të marrë në pyetje mjekë e infermierë të këtij spitali për të hedhur më shumë dritë mbi skandalin e korrupsionit në këtë spital.
Në kuadër të verifikimeve që Prokuroria e Tiranës po kryen për të parë nëse në skandalin e sanitares së spitalit “Shefqet Ndroqi” janë të përfshirë emra të tjerë, Prokurori ka sekuestruar librin e shërbimeve për të parë se si ishin të ndara turnet dhe kush mjek dhe infermeier ka pasur për detyrë të kujdesej për mamanë e denoncueses.
Fax News mëson se prokuroria ka marrë kartelën e mjekimeve që i janë bërë pacientes për ta krahasuar me recetat e ilaçeve që i janë bërë. Për të vërtetuar nëse i janë dhënë të njëtat medikamente, që sanitarja i ka dhënë denoncueses. Gjithashtu, prokuroria është duke administruar provat për të gjitha denoncimet e bëra publike pas rastit të Tire Alldervishit.
Organi i akuzës është duke këqyrur të telefonin e sanitares për komunikime të tjera për të parë nëse kemi të bëjmë me një skemë zhvatje. Pas këtyre verifikimeve do të nis edhe marrja në pyetje e individëve, mjekë apo infermierë, nëse rezultojnë në këto komunikime. Gjithashtu janë sekuestruar dhe disa kamera sigurie në këtë spital për të parë nëse sanitarja apo personel i këtij spitali janë takuar apo i kanë marrë ryshfet pacientëve të tjerë të spitalit.