Kreu i Bashkisë Rrogozhinë , Beqir Nuredini në një prononcim për mediat nuk e ka cilësuar si sulm politik nisjen e hetimeve ndaj tij për përfshirjen në aferën e tjetërsimit të pronave në Spille.
“Kur ky hetim të mbyllet unë do të jem jashtë çështjes dhe do jem tërësisht i pastër”, është shprehur ai i qetë para gazetarëve, teksa i është bashkuar protestës së shoqërisë civile dhe çamëve në rrugën e Ambasadave. Nuredinit i është konfirmuar bllokimi i pasaportës deri në përfundim të hetimeve. Duhet theksuar se masa e sigurisë dhënë dje nga Gjykata e Durrësit për Nuredinin ishte “detyrim me paraqitje”.
10 zyrtarët publikë, janë akuzuar në bazë të hetimit pro-aktiv rreth 1 vjeçar, ka rezultuar se këta zyrtarë në bashkëpunim me njeri-tjetrin duke abuzuar me detyrën funksionale, kanë falsifikuar dhe tjetërsuar rreth 110 mijë m2 tokë shtetërore ranishte në zonën bregdetare Spille, Kavajë.
Mbi bazën e provave të siguruara gjatë hetimit nga strukturat e Hetimit të Krimit Ekonomik e Financiar, rezulton se ata kanë përfituar në mënyrë të kundraligjshme pasuri të tjetërsuar në bregdet, nga toka pyje, tokë ranisht dhe tokë pa frut, në tokë are. Kjo sipërfaqe ndodhet në vijën bregdetare Spille, Kavajë dhe fshatrat përreth.