Dy ditë më parë, familjarët u dyndën në ambientet pranë spitaleve Covid 1 dhe 2 duke u ankuar se nuk merrnin asnjë informacion për të afërmit e shtruar, të cilët janë infektuar me koronavirus. Ata patën edhe takim me mjekun infeksionist Pëllumb Pipero duke shfaqur shqetësimin e tyre se nuk kishin asnjë të dhënë mbi gjendjen e të afërmve.
Situata duket se është qetësuar në fundjavë pasi është përcaktuar një orar vizitash, në 11 dhe 12 të paradites, ndërsa pasdite në orën 17 dhe 18, ku një koordinator merr ushqimet dhe përcjell informacionin e duhur që këta familjarë kërkojnë për të afërmit e tyre.
Gazetarja e Fax News, Ema Shazivari raporton për situatën duke thënë: “Dita e sotme është e qetë, nuk ka pasur prezencë të familjarëve dhe mund të jetë një lloj sensibilizimi mbi dhënien e informacioneve dhe koordinatorëve që marrin ushqime për t’ia cuar pacientëve të shtruar në spitalet Covid 1 dhe Covid 2.”
Sa i përket jetëve të humbura, thekson se në vendin tonë nuk ka asnjë rast suksesi për personat e intubuar. Kjo gjë lë të kuptohet se nëse pacienti përfundon në intubim, orët apo ditët janë të numëruara.
Në përditësimin e sotëm, Ministria e Shëndetësisë bëri me dije aktualisht ne spitalin Infektiv po trajtohen 116 pacientë të konfirmuar pozitivë me Covid19, 19 pacientë janë në terapi intensive, 4 prej të cilëve të intubuar. Nëse numri i pacientëve që kanë nevojë për shërbim spitalor rritet, atëherë do të hapen dyert e Covid 3 tek ish kirurgjia në QSUT, ku do të jenë 40 shtretër.
Është menduar edhe një spital Covid 4 për përkeqësimin e situatës. Është një ish ndërtesë e një Universiteti privat që është përshtatur në një ambient spitalor.(A.M/Faxweb.al)