Shkarkoni aplikacionin e Fax Web

 


AktualitetFlashKryesoreTe FunditTe Gjitha

Sistemi i drejtësisë në vitin 2019, pa Gjykatë Kushtetuese dhe Supreme

Filloi si një mënyrë për të pastruar sistemin e drejtësisë nga prokurorët dhe gjyqtarët e korruptuar, por nuk ishte menduar se vettingu do të nxirrte jashtë një numër kaq të lartë të tyre. Një numër që ka nxjerr jashtë loje dy gjykatat kryesore në vend.

Pas daljes nga funksioni të Gjykatës Kushtetuese për shkak të procesit të viettingut dhe shkarkimit të pjesës më të madhe të anëtarëve të saj nga detyra, ishte radha e një tjetër gjykate shumë të rëndësishme në vend që të mbyllte njëherë e mirë qepenin përgjatë vitit 2019. Gjykata e Lartë do të pushonte së ekzistuari, ndërsa volumi i dosjeve që presin të shqyrtohen vijon të jetë ekstremalisht i lartë.

Në datën 22 maj të këtij viti, Kolegji i Posaçëm i Apelimit shkarkoi nga detyra anëtarin e Supremes, Edmond Islamaj, i cili edhe pse kaloi në shkallën e parë, u ankimua nga Institucioni i Komisionet Publik pranë apelit të vettingut.

Sipas Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, Islamaj kishte kryer deklarim të paplotë dhe të pasaktë të pasurisë së tij në deklaratën vetting me qëllim shmangien nga kontrolli në kuadër të procesit të rivlerësimit të pasurisë në formën e likuiditetit në sistemin bankar për shkak se rezulton në pamundësi të burimeve të ligjshme për ta justifikuar. Islamaj u gjetë në problematika të theksuara në njërën prej tre shtyllave të hetimit, pikërisht në pasuri, ndërsa në vendimin e dhënë nga KPA refuzoi të ishte i pranishëm.

Me vendimin përfundimtar për Edmond Islamajn, i cili dilte përfundimisht nga sistemi i drejtësisë, nuk përfundonte vetëm fati i një gjyqëtari të Gjykatës së Lartë, por edhe fati i kësaj të fundit. Për të funksionuar dhe për të marrë vendime, Gjykata Supreme duhet të ketë minimalisht një numër prej 3 anëtarësh, ndërsa nga 22 maji e shihte veten me vetëm 2 anëtarë.

Të vetmit që kishin mbetur ishin Ardian Dvorani, i cili kishte kaluar vettingun në të dyja shkallët, me vendim të formës së prerë dhe kreu i Supremes, Xhezair Zaganjori. Praktikisht Gjykata e Lartë mbeti me vetëm dy anëtarë dhe totalisht e paaftë për të marrë vendime, ndërsa numri i dosjeve që prisnin të shqyrtoheshin vetëm rritej dhe i zinte pluhuri. Por, nuk do të zgjaste shumë dhe Supremja sërish do tronditej, madje deri tek kreu i saj.

Institucioni i Komisionerit Publik ankimoi pranë apelit të vettingut edhe kreun e Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori, i cili do të fillonte një betejë të gjatë për të mbijetuar në sitën e vettingut. Kalvari i seancave në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit për Xhezair Zaganjorin ishte i gjatë, ndërsa ishte një përpjekje e këtij të fundit për të vërtetuar me çdo kusht se meritonte një mundësi për të vijuar punën në sistemin e drejtësisë.

E megjithatë, vendimi përfundimtar i KPA-së, shkallës së dytë të vettingut, ishte në disfavor të Zaganjorit. Kolegji i Posaçëm i Apelimit shkarkoi nga detyra Zaganjorin në datën 26 korrik, duke kontestuar se ai nuk ka justifikuar pasuritë e paluajtshme, shpenzimet dhe kursimet financiare gjatë viteve si dhe shkollimin dhe jetesën e fëmijëve në Britaninë e Madhe dhe Gjermani. Apartamenti i banimit në Tiranë me sipërfaqe 293 m2, një bibliotekë 70 metra katrorë, një bodrum dhe zyrë me sipërfaqe totale 90 metra katrorë, ishin disa nga pasuritë që KPA ka kontestuar për ish-kryetarin e Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori.

Më herët, Xhezair Zaganjori pretendoi se kishte sjellë prova të reja për të justifikuar të gjitha pretendimet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit dhe Institucionit të Komisionerit Publik, të cilat fillimisht u pranuan, por nuk mjaftuan për të vërtetuar problemet e pretenduara.

Pas shkarkimit të Zaganjorit tashmë Gjykata e Lartë kishte mbetur me vetëm një anëtarë, dhe ai ishte Ardian Dvorani, i cili mori drejtimin e gjykatës, në të cilin nuk kishte më gjyqtarë dhe kishte mbyllur përfundimisht qepenin për zhvillimin e proceseve gjyqësore. Gjykata e Lartë, ishte një nga dy gjykatat kryesore në vend që kishte dalë tashmë jashtë funksionit kryesisht për faj të procesit të vettingut, ndërsa anëtarët e saj ishin djegur një e nga një për probleme të theksuara në tre shtyllat e hetimit, pasuri, aftësi profesionale dhe pastërti figure.

Organi që është përgjegjës për ringritjen e kësaj gjykate është Këshilli i Lartë Gjyqësor, i cili ka disa muaj që ka filluar procedurat për ringritjen e saj, ndërsa do të jetë një kohë e gjatë për përfundimin e këtyre proceduarave pasi afatet ligjore janë të gjata. Pavarësisht ngutjes që duhet për të ngritur Supremen për shkak të numrit të lartë të dosjeve që presin të shqyrtohen, procedurat janë të gjata dhe vendit do t’i duhet një kohë e gjatë për të patur një Gjykatë të Lartë të re e funksionale.

Këshilli i Lartë Gjyqësor tashmë ka hapur garën për të gjithë të interesuarit, ndërsa do të kalojnë përmes një proceduare të gjerë verifikimi dhe më pas do të emërohen në detyrë nga Presidenti i Republikës. Numri i dosjeve që presin të shpluhurosen në këtë gjykatë kalon mbi 30 mijë, ndërsa 17 anëtarëve të rinj të saj do t’u duhet një kohë relativisht e gjatë për t’i shqyrtuar.

Mbyllja e qepenit për Gjykatën Kushtetuese u bë që në vitin 2018, ndërsa edhe pse 2019 mbaroi, akoma gjykata më e rëndësishme në vend nuk është ringritur. Madje, në muajt e fundit ka filluar përplasja midis institucioneve përgjegjëse për ringritjen e saj, Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Presidentit të Republikës, Parlamentit dhe Gjykatës së Lartë.

I pari ka për detyrë kushtetuese që të përgatis të gjithë terrenin për ngritjen e Kushtetuese, marrjen e kandidaturave dhe paraqitjen e tyre pranë institiucioneve përgjegjëse për ngritjen përfundimtare. Gjykata Kushtetuese, për shkak të shkarkimit të anëtarëve të saj nga vettingu, por edhe lënien e disa prej anëtarëve të mandateve mbeti me vetëm 1 anëtarë, Vitore Tushën, e cila praktikisht ka mbaruar mandatin, por ka qëndruar formalisht në detyrë si kryetare e Kushtetueses.

Për vendet e shpallura vakante në Kushtetuese, Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë e ka të cilësuar me detaje emërimet dhe institucionet që duhet t’a ringrenë. Për vakancën e parë shprehet Presidenti i Republikës, për të dytën Parlamenti dhe për të tretën Gjykata e Lartë, e kështu e radhë deri në plotësimin përfundimtar të nëntë anëtarëve të saj. Këshilli i Emërimeve në Drejtësi kishte filluar punën me kohë, kishte shpallur garën për të gjithë të interesuarit për të qenë pjesë e Kushtetueses, dhe në fillim të vjeshtës shpërndau disa prej vakancave në dy institucione, në Presidencë dhe në Parlament.

Në datën 21 shtator, pranë Presidentit të Republikës kanë mbërritur dy lista me dy vakanca të ndryshme në Kushtetuese. Në vakancën e parë, të renditur sipas pikëzimit dhe vlerësimit të KED, ishin emrat e Arta Vorpsit, Elsa Toskës, Besnik Muçit dhe Regleta Panajotit. Në listën e dytë ishin sërish katër emra, Arta Vorpsi, Fjona Papajorgji, Elsa Toska dhe Marsida Xhaferllari. Në Parlament, KED dërgoi dy liste të tjera për dy vakanca të tjera.

Në listën e parë ishin tre kandidatë në garë, Arta Vorpsi, Elsa Toska dhe Besnik Muçi dhe në të dytën, Arta Vorpsi, Fjona Papajorgji dhe Elsa Toska.

I pari që bëri emërimin më Gjykatën Kushtetuese ishte Presidenti Meta, i cili dekretoi si anëtar të Kushtetueses ish-prokurorin e Prokurorisë për Krime të Rënda, Besnik Muçi. Presidenti Meta refuzoi të emëronte për vakancën e dytë, pasi Kushtetuta e kishte të qartë që topi duhet të kalonte në Parlament, aty ku duhej të votohej emërimi i vakancës së dytë. Këshilli i Emërimeve në Drejtësi ndërkohë, pas përfundimit të afateve të Presidentit bën fakt të kryer për vakancën e dytë dhe emëron të parin në listë, Arta Vorpsin, duke e botuar menjëherë në Fletoren Zyrtare. Nga këtu, një betejë e gjatë fillon mes Presidencës, Parlamentit dhe KED-së, deri në përplasje me kallëzime penale.

Një ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare të Arta Vorpsit si anëtare e Gjyaktës Kushtetuese, kjo e fundit kryen një ndër veprimet më të habitshme të bërë ndonjëherë në Shqipërinë pas komuniste. Në Kushtetutë thuhet qartë që të gtjithë nëntë anëtarët e Kushtetueses duhet të betohen para Presidentit të Republikës për të filluar zyrtarisht punën. Meqënëse Meta nuk e njihte Arta Vorpsin si anëtare të Kushtetueses pasi duhej të shprehej njëherë Kuvendi, ajo zgjodhi një tjetër taktikë. Arta Vorpsi u betua para një noteri, duke e njohur veten si anëtare të Kushtetueses.

Një ditë më vonë, Parlamenti votoi në të njëjtën kohë për dy vakanca të tjera në Gjykatën Kushtetuese. Me shumicë votash, Parlamenti zgjodhi Elsa Toskën dhe Fiona Papajorgjin, duke e çuar në katër numrin e anëtareve të Kushtetueses, pa llogaritur kështu emrin e Arta Vorpsit, për të cilën Vitore Tusha, kryetarja në fuqi e Gjykatës Kushtetuese nuk e njohu me betimin para noterit. Presidenti Meta, duke mos njohur në mënyrë kategorike emrin e Arta Vorpsit, kishte në dorë tashmë një vakancë për të cilën KED-ja kishte bërë emërim dhe botim në Fletoren Zyrtare. Meta, në datën 13 nëntor emëron në Gjykatën Kushtetuese Marsida Xhaferllarin.

Pas disa emërimesh, duket se diçka shkoi keq për njërin prej anëtarëve të Kushteëtueses. Ish-prokurori Besnik Muçi, i cili ishte në process vetting në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, u shkarkua nga detyra me vendim të formës së prerë dhe në këtë mënyrë nuk mund të vijonte punën si anëtarë i Kushtetueses.

Muçi kontestoi vendimin e KPA-së, pretendoi se kjo e fundit nuk kishte më kompetencë për ta hetuar, u paraqit në zyrë të nesërmen, por përfundimisht Kushtetuesja shpalli vakancën për vendin e tij pranë Presidnetit Meta. Ky i fundit nuk vonoi dhe shpalli menjëherë garën për kandidatët që pretendojnë për të marrë një karrige në Kushtetuese, për vendin e lënë bosh nga Besnik Muçi. Në datën 24 dhjetor Meta publikoi listën prej dhjetë kandidatësh, ndërsa kanë kaluar tashmë pranë Këshillit të Emërimeve në Drejtësi për verifikim dhe vlerësim të secilit.

E gjithë rrëmuja e krijuar me ringritjen e Gjykatës Kushtetuese ka sjell deri në përfundim të vitit 2019 vetëm katër anëtarë që njihen zyrtarisht nga Gjykata Kushtetuese, Vitore Tusha, anëtare me kompetenca të kryetarit dhe tre anëtaret e reja, Elsa Toska, Marsida Xhaferllari dhe Fjona Papajorgji. Siç mund të kuptohet, emri i Arta Vorpsit, edhe pse u betua pranë noterit dhe emri i saj u botua në Fletoren Zyrtare, nuk njihet dhe nuk figuron si anëtre e Gykatës Kushtetuese. Edhe pse kjo e fundit tashmë është me 4 anëtarë, akoma e ka të pamundur për të marrë vendime. Për të patur vendim duhet të ketë minimalisht gjashtë anëtarë dhe të paktën pesë prej tyre të bashkohen në një mendje, si pro apo kundër.

Që Gjykata Kushtetuese të rikthehet edhe njëherë në funksion do të duhet një kohë relativisht e gjatë, pasi proceduart ligjore për ngritjen e saj janë të vështira dhe kërkojnë kohë, kur jemi edhe në kushtet e përplasjeve institucionale. Pavarësisht të gjitha gjasave, Kushtetuesja mund të pasurohet me vetëm gjashtë anëtarë, të paktën sa për të marrë vendime, pasi Gjykata e Lartë, e cila ka tre vakanca si detyrim për t’i plotësuar është vetë jo funksionale. Si pasojë, për të plotësuar Gjykatën Kushtetuese me nëntë anëtarë, ashtu siç duhet të jetë, do të duhet shuë kohë, ndoshta edhe shumë vite.

Pranë Kushtetueses ndërkohë pop resin që të shqyrtohen disa prej zhvillimeve dhe ngërçëve më të vështira të vitit 2019. Në mesin e tyre qëndron ligjshmëria e zgjadhjeve të 30 qershorit, të cilat u zhvilluan pa opozitën dhe me një çdekretim nga ana e Presidentit të Republikës. Në Kushtetuese pritet të shqyrtohet kërkesa e mazhorancës për të shkarkuar Presidentin e Republikës, Ilir Meta. Me pak fjalë, Gjykata Kushtetuese, e dalë jashtë funksionit prej muajsh të tërë është një nevojë emergjente për të zhbllokuar situatën e rënduar politike në vend, një ngërç të cilin mund t’a zgjidh vetëm ajo, si garantja kryesore e respektimit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.

Përplasja e institucioneve për ngritjen e saj tashmë ka shkuar deri në nivel kallëzimi penal. Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka kallëzuar penalisht kryetarin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani. Fillimisht ky kallëzim penal është dërguar në tre prokurori të ndryshme, në Prokurorinë e Tiranës, në atë të Përgjithshme dhe pranë Prokurorisë për Krime të Rënda. Përfundimisht, si kompetencë, ky kallëzim penal u mor përsipër nga Prokuroria e Tiranës dhe prokurori i çështjes u zgjodh me short, Alket Mersini. Presidenti Meta e akuzonte Ardian Dvorianin per dy vepra penale, “shpërdorimi të detyrës” dhe “përvetësim të titullit apo të detyrës shtetërore”.

Në kallëzimin e Presidentit saktësohet se veprimet dhe mosveprimet e zotit Dvorani kanë krijuar një pasojë shumë të rëndë, që është cënimi i legjitimitetit të të gjithë procesit të përzgjedhjes së anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese dhe kanë krijuar një debat të fortë publik që sjell pasoja të pariparueshme për mirëfunksionimin e sistemit të drejtësisë dhe uljen e besimit të publikut tek Gjykata Kushtetuese dhe implementimi i reformës në sistemin e drejtësisë.

Presidenti Ilir Meta e ka akuzuar Dvoranin si ushtar të partisë që në një akt mafioz siç ai është shprehur më herët publikisht, sulme që nisën gjatë procesit të përzgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese nga Presidenti dhe Parlamenti në bazë të listave me kandidatë të radhitur përmes një sistemi pikëzimi nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi.

Sipas Metës, nuk rezulton që KED-ja, të ketë marrë ndonjë vendim në mënyrë kolegjiale për mënyrën dhe kohën e dërgimit të listave pranë organeve të emërtesës, por ky veprim administrativ është kryer vetëm në mënyrë individuale nga Kryetari i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Pas kësaj ka reaguar menjëherë Dvorani, i cili thotë se do ti bindet urdhërimeve dhe kërkesave të organit të prokurorisë për të dhënë shpjegimet përkatëse mbi faktet e të vërtetën, si edhe ligjin e zbatueshëm lidhur me to, ashtu siç e bën pa zhurmë e bujë çdo qytetar i zakonshëm i këtij vendi.

Brenda pak ditësh, prokurori Alket Mersini ka thirrur në Prokurorinë e Tiranës për të dëshmuar në lidhje me kallëzimin penal, Presidentin e Republikës, Ilir Meta. Një ditë pas Metës në organin e akuzës u thirr kreu i KED, Ardian Dvorani, i cili theksoi se nëse Prokuroria e merrë si të pandehur, nuk mund të qëndronte më në krye të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

Pas dy aktorëve kryesor të këtij kallëzimi, Presidentit Meta dhe kreut të KED, Ardian Dvorani, në Prokurorinë e Tiranës, për të dëshmuar për çështjen në fjalë u paraqitën edhe Kryetarja në fuqi e Gjykatës Kushtetuese, Vitore Tusha, dhe Avokati i Popullit, Erinda Ballanca.

Shkarkimi i një numri të lartë të prokurorëve dhe gjyqtarëve ka bërë që sistemi i drejtësisë në Shqipëri të jetë në pikën më kritike të mundshme, ndërsa mosfunksionimi i Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të Lartë është padyshim një ndër ngjarjet më të çuditshme që kanë ndodhur në historinë e Shqipërisë pas komuniste. E megjithatë tregoi me prova se sa i korruptuar ka qenë gjithë këta vite sistemi i drejtësisë.

Fjalët Kyce
Për t'ju bashkuar grupit të Faxweb.al në Facebook, klikoni Join Group
loading...

Artikuj të Ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *