Kreu i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura Shqiptare, dega Shkodër, Albert Tuka, i është përgjigjur deklaratës së kryeministrit Rama, i cili u shpreh se sindikatat në vendin tonë janë fantazma. Tuka thotë se kjo bëhet për të kapur dhe kontrolluar edhe sindikatat, ashtu siç bëri me mediat, drejtësinë dhe policinë. Për kreun e BSPSH Shkodër, ky është rasti i dytë që Rama sulmon BSPSH-n.
“I’u versul mediave dhe i shkatërroi, një pjesë të mediave i kontrollon. I’u turr drejtësisë dhe e kontrollon për vete, i’u versul policisë dhe atë e ka për vete. Solli varfërinë në Shqipëri, solli mafian, krimin dhe drogën. Është i dyti rast kur kryeministri Rama sulmon BSPSH-n. Para disa kohësh ish kryeministrit Italian i tha ejani investoni në Shqipëri se nuk ka sindikata. Ishte sinjal për ne, por nuk i’u kundërvumë. Sindikatat nuk janë fantazma dhe kemi pjekurinë politike për t’iu përgjigjur situatave të sotme. Rama kërkon asgjesimin e sindikatave. I vetmi institucion që po lufton korrupsionin në vend është BSPSH”- u shpreh ai.
Më tej, Tuka tha se rritja e pagës minimale ka anë negative dhe bëhet për fushatë elektorale.Në fund, Tuka theksoi se jemi të zhgënjyer nga kryeministri Rama në të gjitha format.