Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pasditen e sotme në Berat, ku një punonjës i bashkisë së këtij qyteti ka ndërruar jetë tragjikisht. 46-vjeçari është rrëzuar nga lartësia teksa ishte duke krasitur një pemë. Policia bën me dije se ngjarja ka ndodhur në vendin e quajtur “Ura e Goricës” dhe punonjësi i Drejtorisë së Bujqësisë në Bashkinë Berat që humbi jetën është shtetasi Sh.M, 46 vjeç.
Siç shihet dhe nga pamjet e siguruara nga FaxNews, punonjësi i shërbimit të Bashkisë me jelekun e verdhë veshur, kishte arritur ta priste pjesën e kurorës së pemës. Në përfundim të punës shkalla mbi të cilën kishte hipur rrëshket dhe kjo ka bërë që 46-vjeçari të humbasë kontrrollin dhe të rrëzohet fatalisht duke humbur jetën. Gjatë rënies së tij shara elektrike vazhdonte të ishte ndezur.
Pajisja me ripin e sigurimit si dhe mjetet e tjera mbrojtëse munda ta kishin mbrojtur të ndjerin nga humbja e jetës. Është për të ardhur keq që punonjës të institucioneve shtetërore të cilët kryejnë punë të vështira nuk pajisen me mjete mbrojtëse në mënyrë që puna e tyre të jetë më e sigurt.