33-vjeçari Mihal Thimjo,është vënë në prangat e policisë, pasi dyshohet se ka vrarë shtetasin Gëzim Saraçi, shoferi i një kamionçine që u gjet i pajetë brenda mjetit të tij nga policia gjatë ditës së djeshme.
Burime bëjnë me dije për Faxweb.al se autori është kapur në automjetin e tij në rrugën nacionale pranë lagjes së njohur si “Blloku i furrave”. Thimjo njihet si person jo problematik, dhe ishte muzikant.
Viktima Gëzim Saraçi dhe Mihal Thimjo kishin njohje të vjetër familjare mes tyre, madje ditën e djeshme kishin qenë për një drekë në Poliçan të Zagorisë, por duket se marrëdhëniet mes tyre morën një kthesë tragjike.
Në kthim nga dreka që kishin ngrënë në Zagori ka ndodhur një konflikt i çastit që ka shkaktuar grindjen fizike mes tyre. 57-vjeçari Saraçi ka goditur i pari Thimjon, i cili është kundërpërgjigjur duke e goditur me levë. Mësohet se autori ka deklaruar se viktima e kishte ofenduar duke e quajtur grek, dhee ka qëlluar vetë i pari.
Autori 33-vjeçar është i plagosur në shpatull dhe në këmbë, ndërkohë që nuk dihet ende nëse ka rrëfyer para grupit hetimor versionin e tij të ngjarjes.
Në njoftimin zyrtar të policisë thuhet gjatë kërkimeve janë gjendur në një banesë tjetër rrobat me të cilat viktima ka kryer krimin, të cilat dyshohet t’i ketë ndërruar për të humbur nga gjurmët e policisë.
Ai është kapur pas aksionit të 50 forcave policore të cilat bënë krehjen e zonës dhe kontrolle në disa ambiente dhe banesa të dyshuara.
Njoftimi i plotë i policisë:
Zbardhet në kohë rekord ngjarja e ndodhur në datën 05.08.2020, në aksin rrugor Poliçan-Suhë, ku u gjet i pajetë 57-vjeçari G. S. Pas 6 orë kërkimesh dhe kontrollesh në të gjithë zonën u bë i mundur lokalizimi, kapja dhe prangosja e autorit të dyshuar të vrasjes.
Policia gjeti dhe sekuestroi në një banesë tjetër edhe rrobat që autori kishte veshur gjatë kryerjes së krimit. Menjëherë pas marrjes së njoftimit se në aksin Poliçan-Suhë ishte gjetur i pajetë shtetasi G. S., strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër organizuan punën për zbardhjen e ngjarjes.
Falë punës së mirorganizuar hetimore të kryer nga Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Gjirokastër, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, u bë e mundur zbardhja e ngjarjes dhe identifikimi i autorit.
Rreth 50 forca policore, pas 6 orë kërkimesh, krehje të zonës, kontrolleve në disa ambiente dhe banesa të dyshuara dhe falë përdorimit të metodave proaktive, bënë të mundur lokalizimin e vendndodhjes së autorit, kapjen dhe shoqërimin e tij në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore të kryera, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit M. Th., 33 vjeç, banues në Dervician, për veprën penale “Vrasja me dashje”, pasi gjatë një konflikti për motive të dobëta, ka goditur me sende të forta shtetasin G. S., 57 vjeç, banues në Humelicë, Gjirokastër, duke i shkaktuar vdekjen.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, për veprime të mëtejshme. (E.K/Faxweb.al)