Ka nisur mbledhja e Këshillit të Sigurisë, e cila për arsyen e mospërhapjes së koronavirusit po zhvillohet e gjitha online.
Në këtë mbledhje, e cila drejtohet nga presidenti Meta, bëhen bashkë për herë të parë drejtuesit më të lartë të shtetit, por edhe kreu i PD-së Lulzim Basha.
Ka qenë kryeministri Rama ai që ka ndarë fotot nga takimi virtual, ku pritet që të diskutohet mbi masat e marra nga qeveria në luftën kundër pandemisë që është përhapur në shumë vende të botës, dhe u ka marrë jetën mijëra njerëzve.
Siç shihet pjesëmarrës në këtë bisedë janë:
Presidenti Meta
Kryeminsitri Rama
Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka
Ministrja e Financave Anila Denaj
Ministri i Shtetit Arben Ahmetaj
Kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi
Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu
Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj
Kreu i PD-së Lulzim Basha
Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj
Po ashtu pritet të ketë një raportim dhe nga drejtuesit e institucioneve të drejtësisë, si dhe atyre të Forcave të Armatosura dhe të Rendit.
Mbledhja u njoftua dy ditë më parë nga ana e presidentit Meta, i cili u shpreh se forcat politike duhet të bashkohen pasi shëndeti dhe interesi i qytetarëve duhet të jetë mbi çdo interes partiak.
Dje qeveria miratoi dhe Gjendjen e Fatkeqësisë Natyrore, ku përcaktohet se” Fatkeqësi natyrore konsiderohen fatkeqësitë që shkaktohen nga dukuri natyrore ekstreme, që lidhen me tërmetet, përmbytjet dhe vërshimet e ujit dhe dukuri të tjera që ndikojnë në jetën e njerëzve, gjënë e gjallë, pronën, trashëgiminë kulturore dhe mjedisin.”
Në këtë rast, qeveria duhet të marri masa të tilla siç janë:
Caktimin e objekteve shtetërore për tu vënë në shërbim të qytetarëve që të strehohen
– Evakuimin e qytetarëve
– Zhvendosjen e qytetarëve nga objektet e dëmtuara
– Vendosjen e tyre në zona të sigurta si dhe
– Masa të tjera që parandalojnë pasojat nga fatkeqësia.
– Qeveria dhe bashkitë kanë detyrim ligjor të kompensojnë të gjithë qytetarët të prekur nga fatkeqësia natyrore.
– Ky detyrim ligjor është parashikuar në nenin 41 të ligjit :
“Shteti shqiptar përgjigjet për dëmet që shkaktohen nga pasojat e një fatkeqësie.”
(E.K/Faxweb.al)