Shkarkoni aplikacionin e Fax Web

 


AktualitetTe FunditTe Gjitha

“Si e mësova vdekjen e gruas”, rrëfehet babai i dy fëmijëve pas tragjedisë në Vlorë

Detaje të reja zbulohen nga mbytja e tre të rinjve në Vlorë, pas rrëfimit të bashkëshortit të njërës prej vajzave.

Domenik Maraj, bashkëshorti i të ndjerës Manuela Maraj, e cila ndërroi jetë më 15 korrik, tregon se vajzat nuk kanë qenë motra siç është njoftuar nëpër media.

Manuela Maraj u mbyt në plazhin e Portonovës bashkë me mbesën e bashkëshortit, 25-vjeçaren Xhoana Cani si edhe 24-vjeçarin Beniamin Ferati nga Tetova e Maqedonisë.

Në një prononcim për JOQ, Domenik Maraj  tregon po ashtu se Manuela, nuk ka jetuar kurrë në fshatin Babicë sikurse u tha në media.

“Ela ishte nga komuna Bradashesh dhe fshati Petresh i Elbasanit. E kam njohur kur ishte 15-vjeçe dhe jemi martuar kur ishte 17-vjeçe. Jetojmë në lagjen “Pavarësia” në qytetin e Vlorës. I lutem mediave të mos publikojnë lajme të pavërteta. Boll po më duron zemra”, – thotë Domeniku.

Maraj tregon se është menaxher në një biznes divanesh në Vlorë, ndërsa nis të tregojë edhe se si e ka marrë vesh lajmin për tragjedinë e ndodhur në familjen e tij.

“Unë isha në punë. I thashë Elës të më thoshte kur të ishte gati për në plazh se një ditë më parë mua më kishin ardhur dhe dy mbesat. Xhoana dhe Xhesika, jo Xhensila si e keni thënë ju. S’ka asnjë Xhensila në këtë histori. Nusja më tha “unë nuk dua të vete në plazh. Ne e kemi lënë të vemi në gusht në Sarandë, po nuk ua prish dot vajzave”. Edhe unë i thashë që nuk u thoja dot “jo” mbesave, ndaj kur të ishte gati, të më thoshte”, – tregon Domeniku.

Ai shton më tej se rreth orës 12 të drekës i ka çuar në Portonovë, në plazh dhe i la aty si bashkëshorten, dy mbesat dhe fëmijët e tij.

“Doja të isha në orën 1 në Vlorë. Vajta të merrja punëtorët se e kemi punën larg qytetit. Kur më merr vajza e më thotë ‘babi ka humbur Xhesi dhe mami, s’po i gjejmë dot’. I zbrita punëtorët në mes të autostradës, në Panaja e ika në Portonovë. Kur vete atje shikoj 3-4 policë dhe Xhesikën në këmbë, të shpëtuar’, rrëfen më tej burri.

Në vijim ai tregon momentin kur mbërrin në afërsi të plazhit dhe gjen fëmijët e tij e Xhesikën të shoqëruar nga një grua, plazhiste, e cila po u qëndronte pranë, ndërsa në anë të një shkëmbi dallon një femër të shtrirë.

“Shikoj poshtë detit, një femër e shtrirë. E kisha humbur çdo gjë. Mendova se ishte gruaja. U binda që ajo nuk jetonte më. U thashë policëve “e nxirrni dhe e bini”. Ndërkohë që po kërkoja Xhoanën, ta merrja në shtëpi, marr fëmijët dhe i hipi në makinë, bashkë me Xhesikën, që mos të shikonin mamanë ashtu. Ajo që pash në det ishte fryrë nga uji”, – thotë Domekinu.

Ndër të tjera Domenik tregon se vetëm një ditë para tragjedisë, i kishte blerë të shoqes një palë rroba banjo të kuqe me të zeza, të cilat ajo i kishte pëlqyer shumë.

“I kisha blerë një palë rroba banje gruas dhe mendova se ishte nusja ajo që pash në det. Duke ikur rrugës po mendoja rrobat e banjës. I them Xhesikës, po Ela (Manuela) ç’a kishte veshur? Ajo më tha “ato të kuqet me të zeza”. Aty e kuptova që s’ishte gruaja ime, por mbesa ajo që kisha parë. I lashë në Vlorë fëmijët dhe mbesën e nisem prapë për në Portonovë. Gjatë gjithë rrugës isha në kontakt me 129, po më shumë informacion kisha unë se 129. Trupat e tyre i nxorën me gomone në Triport e i çuan në morg”, – tregon bashkëshorti i të ndjerës.

 “Tërheq vëmendjen e të gjitha mediave të mos publikojnë lajme të rreme. Boll po më duron zemra. Kjo ka qenë edhe dëshmia ime në polici”, është apeli i Domenikut për mediat. (D.D/Shuplaka)

Fjalët Kyce
Për t'ju bashkuar grupit të Faxweb.al në Facebook, klikoni Join Group
loading...

Artikuj të Ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.