Gjykata e Shkodrës ka dhënë masën e arrestit me burg për Arlind Tabakun dhe Përparim Shurdhin, të cilët dyshohen si bashkëpunëtor në trafikun e 2.6 ton kanabis, që u gjet disa ditë më patrë në Malin e Zi.
Shurdhi dyshohet si pronar i magazinës në Lushnje, ku u ngarkua kamioni me lëndë narkotike, ndërsa Tabaku si një bashkëpunëtor, pasi i janë gjetur disa sms me shoferin e kamionit Elvis Çalik. Sipas avokatit mbrojtës të Tabakut, prokuroria nuk ka paraqitur asnjë provë në ngarkim të dy të dyshuarve, ndërsa më tej e kanë konsideruar skandaloz arrestimin.
“Zero prova prokuroria, ky është një arrestim skandaloz. Ka vetëm një komunikim me 27 tetor mes Arlind Tabakut dhe shoferit të kamionit, që i kërkonte një magazinë. Arlind Tabaku nuk ka qenë në magazinë sepse janë kamerat e sigurisë. Nuk ka asnjë lloj prove nga ana e prokurorisë. Arlind Tabaku dhe personi tjeter nuk kanë nxjerrë asnjë emër të personave të përfshirë siç pretendohet nga disa media.
Magazinen shoferi i kamionit ia ka kërkuar me qera sepse i ka thënë se dua të merrem me fruta perime duke qeë se zona e Lushnjes njihet për atë punë. Nuk ka asnjë provë që tregon se kamioni është ngarkuar me drogë tek magazina por vetëm shihet duke hyrë dhe duke dalë”, shprehet avokati, ndërsa shton më tej se është absurde që nuk ka një hetim për punonjësit e doganës së Hanit të Hotit, nga ku dyshohet dhe se ka kaluar kamioni me lëndë narkotike.
Kujtojmë se kamioni me drogë ishte nisur nga Greqia me destinacion Gjermaninë, por ka bërë një ndalesë pranë rrethrrotullimit Plug-Savër, shumë pranë autostradës Lushnje-Durrës, ku ka marrë edhe sasinë rekord të kanabisit.
Droga ka qenë e paketuar dhe e vendosur brenda kësaj magazine, në pritje për t’u transportuar drejt Gjermanisë. 4 ditë më parë policia malazeze, e ndaloi kamionin pasi kishte dyshime për drogë. Brenda u gjetën edhe pakot me kanabis. Kamioni u la të kalonte nga policët shqiptarë në Han të Hotit, prandaj ka nisur edhe një hetim për ta nga SHÇBA.
(E.K/Faxweb.al)