Banorët e lagjes 13 në zonën e plazhit po i rikthehen banesave tyre, pas tërmetit të 26 nëntorit që shkaktoi dëme të konsiderueshme në qytetin e Durrësit.
Banorët e shumë pallateve në Durrës pasi janë endur nëpër dyert e hoteleve, nëpër të afërmit e tyre, janë detyruar të rikthehen në banesat që akoma nuk e dinë nëse janë të banueshme apo jo, pasi nuk kanë marrë asnjë akt ekspertimi.
Disa banorë vazhdojnë të qëndrojnë në hotele duke paguar me xhepin e tyre, ndërsa thonë se emri nuk iu ka dalë në listën e Bashkisë për të përfituar bonon e qerasë.
“Pas tërmetit këtu s’ka ardhur asnjë njeri që ti shikojë, shtëpia ka qenë në emrin e babit, dhe unë tani qendroj me lekët e mi ate hoteli, dhe unë skam ku të iki më kur të më mbarojnë lekët. Kam ndejtur një muaj në makinë dhe nuk më ka ardhur asnjë njeri për ta parë shtëpunë’’, shprehet qytetari.
Kjo zonë në Durrës mbetet një ndër më të prekurat nga tërmeti i 26 nëntorit.
Ndonëse ka kaluar një muaj e gjysmë prej kohës së tërmetit, verifikimi i dëmeve ende nuk është bërë në të gjitha banesat.
Nga ana tjetër ka banorë që ende janë në kërkim të një përgjigje zyrtare për gjendjen në të cilat ndodhen shtëpitë e tyre. Tani më banorët janë lodhur nga shteti nga Bashkia, por dhe nga mediat pasi nuk kanë marrë akoma nje pergjigjje.
Në zonën e Plazhit të Durrësit është e vështirë që të gjesh pallate të padëmtuara. Pjesa më e madhe e objekteve kanë pësuar dëme të konsiderueshme nga tërmeti ndërkohë që ende nuk ka nisur puna për riparimin e dëmtimeve në ato objekte që mund të riparohen dhe janë klasifikuara si të tilla.