Shkarkoni aplikacionin e Fax Web

 


AktualitetEkonomiFlashTe FunditTe Gjitha

Covid 19/ Shqipëria, e gjashta në Europë për rritjen e lartë të borxhit, por e fundit për mbështetjen për ekonominë!

Në fund të 6 mujorit të parë 2020, borxhi publik në vend arriti në 80% të prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), me një rritje prej 13.8 pikë përqindje në krahasim me fundin e 2019-s, sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave.

Rritja e borxhit ishte e lidhur kryesisht me paketat ndihmëse, pas krizës që u shkaktua në vend nga karantimi disa mujor i ekonomisë, dhe rindërtimin pas tërmetit.

Në fakt, e gjithë Europa ka marrë më shumë borxh në pjesën e parë të vitit, në një përpjekje të jashtëzakonshme për të shëruar ekonomitë e tyre të goditura nga mbyllja pas Covid-19. Sipas të dhënave të Eurostat, borxhi publik në 27 vendet e BE-së u rrit me 10.2 pikë përqindje në raport me dhjetor 2019, (me ritme më të ulëta se i Shqipërisë), duke arritur në 87.8% të PBB-së, në fund të 6 mujorit të parë.

Shqipëria rezulton, sipas të dhënave të Eurostat për BE-në dhe Komisionit Europian për rajonin, se ka pasur rritjen e gjashtë më të lartë të borxhit publik në Europë, në krahasim me periudhën e para krizës (fundin e 2019-s), pas Qipros që e rriti këtë tregues me 19.2 pikë përqindje, Belgjikës (16.6 pp), Francës (16 pp), Italisë (14.7 pp), Spanjës (13.8 pp).

Por, ndonëse ka pasur rritjen e borxhit publik ndër më të lartën në Europë, Shqipëria nuk rezulton të ketë përdorur këtë shtesë të huamarrjes për të mbështetur ekonominë, që në kontrast ishte minimale. Sipas një vlerësimi të Fondit Monetar Ndërkombëtar mbështetja fiskale (shpenzime shtesë dhe shtyrje të pagesave të taksave) ishte më pak se 1 % e PBB së vendit, më e ulëta për gjithë Europën.

Të gjitha vendet e tjera të rajonit, që rritën më pak borxhin në gjashtëmujorin e parë të vitit kanë dhënë më shumë mbështetje direkte për ekonominë. Mali i Zi, që e rriti borxhin në nivele të ngjashme me ne (79.5% e PBB-së), ka dhënë suport prej gati 8% të PBB-së, Serbia e kishte këtë tregues sipas FMN-së gati 5%, Maqedonia e Veriut 3% e PBB-së (shih grafikun në fund).

Në vend të 11 në Europë për madhësinë e borxhit publik

Edhe në raport me madhësinë e ekonomisë, Shqipëria u rendit në fund të 6 mujorit të dytë ndër shtetet me borxhin më të lartë publik

Sipas të dhënave të Eurostat për Bashkimin Europian dhe Komisionit Europian për vendet e rajonit, Shqipëria ishte e 11-a në Europë dhe e para në rajon, për treguesin e borxhit nga PBB-së.

Në nivele të ngjashme është dhe Mali i Zi (79.5%), ndërsa Serbia (58.1%), Maqedonia e Veriut (50.7%), Bosnja (35.6%), Kosova (17.5%) e kanë borxhin publik nën 60% të PBB-së. Për vendet në zhvillim vlerësohet se niveli i 60% të PBB-së është kufiri maksimal i qëndrueshëm për vendet në zhvillim (Shqipëria e kishte gati 67% në fund të 2019-s).

Në kontrast me borxhin e lartë, Shqipëria renditet si shteti me konkurrueshmërinë më të ulët në Europë, sipas Forumit Ekonomik Global, në një tregues indirekt se borxhi nuk është përdorur për të nxitur një zhvillim të qëndrueshëm dhe ekonomi produktive. Sa më pak konkurruese ekonomia, aq më e ulët është dhe aftësia për të shlyer detyrimet. Si rrjedhojë, vendi rrezikon të futet në një spirale ku shtimi i borxhit nuk do të arrijë të prodhojë rritjen ekonomike të nevojshme për ta ulur atë (borxhin) në afatin e mesëm.

Vetëm për pagesat e koncesioneve, Shqipëria është angazhuar tashmë në dhjetëvjeçarin e ardhshëm me 9.5% të PBB-së që janë llogari jashtë bilancit, që është më e larta në Europë, ndërsa nuk ka të dhëna për eficiencën në ekonomi të këtyre angazhimeve.

Borxhin më të lartë në Europë e ka Greqia, në 187.4% të PBB-së. Ndonëse e zhytur në detyrime, shteti fqinjë e ka rritur këtë tregues edhe me 10.8 pikë përqindje në 6 mujorin e parë të vitit për të nxitur ekonominë e sëmurë.

E dyta në Europë është Italia, me 149.4% të PBB-së. Edhe Italia, që u godit e para nga Covid-19 ka shpenzuar gati 15% të PBB-së në 6 mujorin e parë për të mbështetur bizneset dhe individët.

E treta në Europë për madhësinë e borxhit është Portugalia (126.1% e PBB-së), Belgjika (115.3%), Franca (114.1%).

Shteti me më pak borxhe në Europë është Kosova, me 17.5% në raport me madhësinë e ekonomisë së vet./Monitor

Për t'ju bashkuar grupit të Faxweb.al në Facebook, klikoni Join Group
loading...

Artikuj të Ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *