Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka reaguar sot në lidhje me shpopullimin që sipas tij po tkurr dhe plak popullsinë në Shqipëri.
Duke iu referuar një raporti ku për tre mujorin e dytë regjistrohen 14.8% lindje me pak, Meta shton se Partia e Lirisë do të ketë një program të veçantë për të mbështetur familjet e reja që të ndërtojnë të ardhmen në vendin e tyre.
“Shpopullimi po e tkurr dhe po e plak Shqipërinë. Një tjetër tregues negativ për vitin 2022, ku për tre mujorin e dytë regjistrohen 14.8% lindje me pak.
Për familjet e reja bonuset e lindjes janë shumë të ulta, ndërkohë që korrupsioni, papunësia, pagat e ulta, çmimet e papërballueshme të banesave, cilësia e dobët e edukimit dhe mungesa e perspektivës ja u bën jetesën të papërballueshme.
Partia e Lirisë si një forcë e përkushtuar për të çrrënjosur shkaqet e shpopullimit do të ketë një program të veçantë për të mbështetur fuqimisht familjet e reja, që të ndërtojnë të ardhmen këtu dhe të lindin me guxim dhe gëzim fëmijët e tyre në një vend të sigurt, që kujdeset me dashuri dhe përgjegjshmëri për të ardhmen e tij.
Koha është tani për të rikthyer shpresën dhe besimin se Shqipëria ka diell për të gjithë dhe së pari për fëmijët e saj!”, shkruan Meta.