Avokati i kontrollorëve të trafikut ajrorë, Rezart Kthupi, përmes një prononcimi për media nga ambientet e jashtme të Drejtorisë së Policisë së Tiranës, foli në lidhje me shoqërimin në komisariat të klientëve të tij.
Avokati bëri me dije se mbrëmjen e djeshme janë shoqëruar gjithësej 24 kontrollorë, ku një pjesë e tyre janë paraqitur vullnetarisht ndërsa pjesa tjetër është ndaluar në ambientet e një hoteli pranë aeroportit të Rinasit. Ai shprehet se 4 prej tyre janë liruar mëngjesin e sotëm.
Për sa i përket akuzës së ngritur ndaj kontrollorëve për shpërdorim detyre, Kthupi e quajti të pabazë pasi kjo akuzë vlen për administratën publike dhe jo për një sh.a që nuk varet nga shteti.
“Kontrollorët e trafikut ajrorë janë arrestuar mbrëmjen e djeshme. Ishin 24 persona të shoqëruar,një pjesë e tyre u ndalua në ambientet e një hoteli në Rinas ndërsa pjesë tjetër pas komunikimit nga policia janë paraqitur vullnetarisht në komisariat. Nga 24 të ndaluar 4 prej tyre janë liruar ditën e sotme.
Unë nuk qenë prezent dhe nuk mund të shprehem për procedurat e shoqërimit. Në momentin që do të dalin kontrollorët do të shprehen në lidhje me procedurën e shoqërimit.
Shpërdorimi i detyrës është një term që përdoret për administratën shtetërore nuk e di arsyetimi që bën prokuroria për ta konsideruar si ‘Shpërdorim Detyre’. AlbControl është një sh.a që nuk pjesë e administratës shtetërore”, tha Kthupi.