Fëmijët e shkollave, të kopshteve dhe të çerdheve po përballen këto ditë me ftohtin edhe brenda institucioneve arsimore. Kjo për faktin se në 50 % të tyre sistemi i ngrohjes me kaldajë nuk punon dhe në disa të tjera ai nuk është instaluar fare. Në shkollën 9 vjecare Aleks Buda në bashkinë Cërrik mungon sistemi i ngrohjes. Nxënësit thonë se shkolla nuk ka ngrohje , ndaj ata janë të detyruar të ngrohen me rezistencë, por ajo nuk është efektive.
“Ne në klasën tonë ngrohemi me rezistencë por nuk mjafton se klasa e madhe. Veshim dorashka dhe me xhup. Jo nuk jemi ankuar. Na shqetëson kjo situatë, është pengesë për procesin mësimor.
“Jam në klasë të katërt. Kemi ngrohëse, që e mbajmë. Na ngroh por jo të gjithë klasën. I afrohemi për tu ngrohur.Nuk punojnë kaldajat”– kanë thënë nxënësit.
Ndërkohë dhe vetë prindërit shprehen të shqetësuar për këtë situate dhe kërkojnë të merren masa nga pushteti lokal dhe ministria e arsimit.
“Unë kam nipin në klasë të parë, ngrohen me një furnellë. Nuk punon kaldaja. Ngrohen tre nga tre”– ka thënë gjyshi i një prej fëmijëve të kësaj shkolle.
Për problemin e ngrohjes, Fax News iu drejtua bashkisë Cërrik ku zëdhënësi i saj Maringlen Miraka tha se nga 23 shkollave në cerrik , në dy prej tyre nuk punon sistemi i ngrohjes për shkak të një difekti, për të cilat siguroi se janë duke punuar.
Prej disa ditësh temperaturat e uleta kanë perfshirë të gjithë vendin ndaj ka shtuar nevojën per garantimin e ngrohjes vecanërisht ne institucionet arsimore.