Shkarkoni aplikacionin e Fax Web

 


EkonomiFlashTe FunditTe Gjitha

Shkëlqen biznesi i bizhuterive, shqiptarët po blejnë më pak, por më shtrenjtë

Pandemia ka luhatur jo pak sektorë, kudo në botë, të cilët janë në mbijetesë. Por, kjo nuk ka ndodhur me tregun e bizhuterive të çmuara në vend. Sado e çuditshme mund të duket, tregu ka shkëlqyer vitin e shkuar dhe aktorët e tij japin disa arsye për këtë.

Ka qenë një dekadë sfiduese për sektorin e luksit, por bizhuteritë kanë pasur një bum rritjesh në 2020-n. Bledar Kastrati nga “Kastrati Jewelry”, pohon se fillimi i karantinës një vit më parë padyshim frenoi shitjet në dyqan. Arsyet janë dy. Sipas z. Kastrati, dyqanet fizike u mbyllën dhe ndonëse kanali i komunikimit në rrjete sociale vijoi, paqartësia e krijuar nga mungesa e informacionit e la në harresë këtë segment luksi. Me kalimin e javëve, situata pa përmirësim të dukshëm.

Kastrati nënvizon edhe mungesën e lëvizjes jashtë si një mundësi për sektorin.“2020 nisi i vështirë dhe i paqartë dhe me shumë pasiguri. Në momentin e hapjes pas karantinës, pati një rritje të ndjeshme të kërkesave për produktet dhe markat që ne ofrojmë. Një nga arsyet, mendoj, ishte stresi i akumuluar gjatë izolimit dhe gjithashtu mungesa e udhëtimeve në Europë”, – thotë menaxheri i argjendarisë.

Aktorë të ndryshëm të tregut pohojnë se pandemia pati ndikim thelbësor në ndryshimin e zakoneve të blerjeve. Bledar Kastrati thekson, se pas karantinës shumë klientë gjetën atë plotësim dëshire dhe kënaqësie që ju kishte munguar atë kohë të vështirë.

Përfaqësuesit e shitjeve nga argjendari “AltinBas” rendisin tendencat e dhurimit të vetvetes që hynë në lojë në karantinë, si dhe zhvillimin e kanaleve të reja dixhitale, me funksion shitje e reklamimin, si website apo rrjete sociale.

Ajo çfarë shihet në tregun shqiptar të bizhuterive të luksit dhe jo vetëm, është stabilizimi i aktorëve të vjetër, përqendrimi i dyqaneve fizike në një të tillë (ndryshe nga më parë që kishin dy ose më shumë), nxitja e shitjeve online falë lehtësive të teknologjisë, duke krijuar mundësi të reja për shitje dhe duke pasur më shumë aktivitet sesa shihej më parë në sektor.

Përfaqësuesit e shitjeve nga argjendari “AltinBas” pohojnë se edhe me hapjen e dyqaneve fizike, shitjet online vijuan të jenë të preferuara për disa arsye.

“E para, do të pohoja padyshim që, njerëzit të trembur nga infektimet, përpiqeshin të shmangin frekuentimin e dyqaneve dhe kontaktin që do të kishte në rastin konkret vendosja e një unaze në gisht apo bizhuterie tjetër. Ndonëse ne si sektor jemi të kujdesshëm sepse edhe shumë më parë se sa COVID, në dyqanet tona janë përdorur doreza për të siguruar që prekja e bizhuterisë apo orës të jetë delikate, e kujdesshme. Si arsye të dytë do të përmendja faktin që reklamimi dixhital është zhvilluar dhe fotografitë, më së shumti profesionale, kryhen me produkte të vendosura në duar, kjo e bën më të lehtë për klientin që të imagjinojë se si do të qëndrojë në duar, qafë etj. stolia” – thonë ata.

Tendencat e reja

Përfaqësuesit e shitjeve nga argjendari “AltinBas” rendisin tendencat e dhurimit të vetvetes që hynë në lojë në karantinë, si dhe zhvillimin e kanaleve të reja dixhitale, me funksion shitje e reklamimin, si website apo rrjete sociale

Importet u rritën

Pandemia nuk e ka zbehur dëshirën për luks dhe “shkëlqim” te shqiptarët. Tregu i shitjes së bizhuterive u zgjerua në 2020. Sipas të dhënave të INSTAT, importi i bizhuterive u rrit 18,4%, pas një rënie që pati në 2019. Ndryshe nga bizhuteritë, importi i orëve në vitin që lamë pas, ishte me tkurrje 8,6%. Kjo tendencë u shfaq edhe në 2019-n.

Agron Gjikondi, i cili zotëron një ndër argjendaritë më të mëdha në vend, ka pohuar për “Monitor” më herët, se shitjet e bizhuterive të markave më të njohura italiane dhe të orëve zvicerane ishin mbi 5% më të larta në vitin 2020 në dyqanin e tij krahasuar me 2019.

“Rritja e shitjeve ka ardhur për shkak të ndalimit të lëvizjeve jashtë vendit. Rreth 30% e blerësve, i blejnë bizhuteritë jashtë vendit dhe për këtë arsye është rritur xhiroja për blerjet brenda vendit. Edhe për muajin janar 2021, ecuria e shitjeve ishte shumë pozitive. Parashikohet që edhe ky vit të mbyllet me rritje të paktën deri në 10% që është maksimumi i shitjeve për këto produkte”. Drejtuesi i argjendarisë “Gjikondi” thotë se edhe investimet për biznesin janë rritur. Ai pohon se në dyqan tregtohen vetëm bizhuteri të markave më të njohura italiane, me çmim mbi 1 mijë euro dhe ora zvicerane.

Sipas të dhënave të INSTAT, vihej re një ulje në peshë e stolive të importuara në 2020, por rritje në vlerë. Aktorët e tregut pohuan se kjo lidhej me rritjen e importeve të produkteve të luksit, më pak në sasi, por më të kushtueshme në vlerë. Sipas tyre, bëhej fjalë gjithnjë e më shumë për bizhuteri me diamante apo ora luksoz

Pandemia

Pandemia dha ndikimin e saj në tregtimin e metaleve të çmuar në formën e bizhuterive në gjysmën e parë të 2020-s e pati një rimëkëmbje në gjashtëmujorin e fundit. Sipas Alba Ruços, menaxhere e “Pirro Argjendari”, kjo i atribuohet kryesisht vështirësive në logjistikë vitin e shkuar.

“Prej më se një viti, industria e metaleve dhe gurëve të çmuar ka pësuar një katapultim, jo vetëm në vlerat e aseteve, por edhe në infrastrukturë. Në aspektin e logjistikës, koha dhe siguria e dërgesave shpesh u vunë në pikëpyetje. Siguracionet shoqëruese u bënë më se të nevojshme, në një kohë kur e tashmja e biznesit është e lëkundur” – thotë znj. Ruço.

Sipas saj, çmimi i arit u rrit në verën e vitit 2020 me 30% duke arritur kulmin e të gjitha kohërave. “Ndërkohë po vazhdon të jetë në nivele të larta, edhe pse me rënie shumë të lehtë. Argjendi gjithashtu si dhe metalet e tjera më pak të çmuara shënuan rritje të vazhdueshme. Këto e bënë të pashmangshme rritjen e çmimit final për konsumatorin. Sigurisht kjo solli pakënaqësi ndaj shitësve, duke qenë se ka pasur edhe mungesë informacioni nga mediat apo institucionet rregullatore. Për arsye të konkurrencës së tregut, biznesi nuk mund të lajmërojë apo njoftojë për rritjen në afishime” – pohon znj. Ruço.

Ajo shton se, mbyllja e gjithë bizneseve në muajin prill solli humbje të mëdha. “Megjithëse ari u vlerësua dhe kërkesa duhet të shënonte rritje, ishte fizikisht gati e pamundur të prodhoje dhe të shisje në atë periudhë. Në muajt që vijuan pati luhatje në rritje të lehta, por jo duke shkuar afër normalitetit. Periudha e festave të fundvitit ishte padyshim për të gjithë një rimëkëmbje e pritshme” -thotë znj. Ruço.

Bledar Kastrati thekson se, pandemia solli shumë vështirësi, që nga prodhimi i lëndës së parë, puna e dorës dhe transporti gjithashtu. “Të gjithë fabrikat punojnë me orare të reduktuara dhe stafi po ashtu. Kjo situatë solli rritje të konsiderueshme të kostove dhe vonesave ndaj klientëve”.

Çmimi

Në Shqipëri, të gjithë duan të fitojnë sa më shumë, pa marrë në konsideratë dhe analizuar marzhin e fitimit, thotë Alba Ruço. “Duke qenë se pjesa dërrmuese janë rishitës bizhuterish, mbahen çmimet e shitjes së firmave mëma që diktojnë edhe sasinë e uljeve të mundshme. Në një vend të varfër me pak blerës të kategorisë së luksit, kjo mundëson blerjen e tyre vetëm nga një kategori me të ardhurat më të larta të shoqërisë. Pjesa tjetër e rishitësve shesin produkte më ekonomike nga burime që prodhojnë në sasi të mëdha, si rrjedhojë me çmime më të ulëta si Kina, Turqia dhe vende të Lindjes.

Ka edhe segmente informale, të cilët çmimin e produkteve nuk ua dikton tregu, por hamendësimi dhe parashikimi i vlerës së tregut. Këto vlera shpesh janë të pabaza, sepse nuk marrin në konsideratë vlerën e përdorimit apo të mbajtjes së garancisë së produktit” -përfundon ajo.

Blerjet pas karantinës

Në momentin e hapjes pas karantinës, pati një rritje të ndjeshme të kërkesave për produktet dhe markat që ne ofrojmë. Një nga arsyet, mendoj, ishte stresi i akumuluar gjatë izolimit dhe gjithashtu mungesa e udhëtimeve në Europë”

Problematika

Tregtarët e vegjël pohojnë se diversifikimi i produkteve është diçka që ata përpiqen ta bëjnë prej vitesh, duke ofruar edhe stoli me gurë imitacion apo edhe produkte floriri me karat të ulët, për t’i dhënë mundësi çdo kategorie njerëzish që të blejnë. Ata ‘ankohen’ se tatimet dhe taksat janë të larta, qiratë e dyqanit gjithashtu, si dhe një kategori bizhuterish, kineze, të cilat e dëmtojnë tregtinë e tyre.

Ndikimi i mbylljes së kufijve

Në Shqipëri ekzistojnë dy lloje bizhuterish, ato që punohen e prodhohen në vend, si dhe bizhuteri të gatshme që vijnë nga vende si Italia, Greqia apo Turqia. Këto dy kategori shoqërohen me ndryshime çmimesh, duke qenë se importet janë kryesisht nga marka ndërkombëtare, të cilat vijnë me çmime të unifikuara në treg global.

Një unazë me gurë akuamarinë, kushton rreth 700 euro, ndërsa me imitim guri te 20 mijë lekë, në një unazë floriri 14 karat. Megjithatë, çmimi varet nga madhësia e gurit dhe pastërtia e tij. Një unazë e thjeshtë me gurë diamanti kushton minimumi 1,000 euro në ditët e sotme.

Në lidhje me kërkesat për unaza me gurë të çmuar, vite më parë pronarët e argjendarive pohonin se, aksesi i individëve në udhëtime të ndryshme jashtë shtetit, ndikonte në klientelën e këtij segmenti të bizhuterive të luksit. Sipas tyre, mbyllja e kufijve ndikoi në nxitjen e shitjeve brenda vendit, duke qenë se ishte alternativa e vetme.

Tendenca e ambasadorëve të markës

Nga vëzhgimi i “Monitor” është vënë re se këtë vit, argjendaritë shqiptare i kanë klientët vizitorë të rrallë dhe vetë argjendarët pohojnë se punojnë më tepër online. Por, jo në shitje direkte, por në reklamim të mëparshëm. Sipas tyre, Instagram-i është forma më e mirë e marketimit të produkteve të tyre. Por jo vetëm në ekzistencën e një faqeje Instagram-i apo reklamimit të produkteve në të. Instagram-i i ka dhënë zhvillim profesionit të Influencuesit dhe pikërisht ky biznes, e ka “shfrytëzuar” këtë.

Ka qenë e lehtë reklamimi nëpërmjet influencuesve, duke qenë se pjesa më e madhe e tyre, në Shqipëri e jo vetëm, janë femra. Alba Ruço pohon për “Monitor” se, herë pas here kanë bashkëpunime me influencues të ndryshëm për të marketuar një ose disa produkte. Fushatat e reklamimit, sipas saj, varen edhe nga produktet, ndaj influencuesit që zgjidhen janë të ndryshëm dhe nuk mbahet vetëm një i tillë. Një ndër risitë që vihet re vitet e fundit, është të pasurit e një “Brand ambassador”.

Bledar Kastrati pohon se, duke qenë se tregtojnë kryesisht marka ndërkombëtare, edhe marketingu diktohet nga bashkëpunimet e tyre.

“Markat me të cilat ne bashkëpunojmë janë shumë strikte në mënyrën sesi e konceptojnë dhe realizojnë marketingun. Në rrjetet sociale ne kemi vendosur të ndjekim hapat dhe strategjinë e tyre. ‘Brand ambassador’ e tyre janë të nivele botërore dhe ne, duke pasur përfaqësinë e këtyre markave mundohemi të jemi në harmoni me to. Kemi shumë klientë që janë potencial për influencer në Shqipëri, por ne kemi zgjedhur privatësinë e tyre përpara reklamës sonë”- thotë ai

Do të ketë 2021 shkëlqimin e vitit të shkuar?

Aktorët e tregut parashikojnë se viti 2021 do të vazhdojë me ritme të ngadalta, por duke shpresuar që tregu të jetë më i informuar për çmimet e referencës, si nga shitësit, edhe nga blerësit.

Alba Ruço pohon se, pritet që industria botërore të shënojë një rritje të lehtë prej 1-2% në krahasim me vitin e kaluar, ndërkohë që ari vazhdon të vlerësohet lart. Sipas saj, segmenti i prodhimit masiv botëror është më i godituri, për shkak të kushteve të pandemisë. Kjo do të vazhdojë të sjellë ngadalësime në investime dhe teknologji të reja, inovacione dhe logjistikën në tërësi.

“Panairet kryesore të industrisë se bizhuterisë janë tjetërsuar në formate, disa janë shtyrë disa herë, deri në njoftime të mëtejshme. Duke pritur inflacionet e divizioneve të ndryshme, nuk na mbetet gjë tjetër vetëm të shpresojmë në normalitetin e këtij sektori në vazhdimësi” – thotë znj. Ruço

Status social a ekonomik?

Gjatë historisë së tyre, bizhuteritë kanë qenë një simbol i statusit – ari, diamante, platin dhe gurët e çmuar plotësonin veshjet e atyre që renditeshin lart në shtresat shoqërore. Statistikat bashkëkohore të industrisë së bizhuterive zbulojnë se kohët kanë ndryshuar në disa mënyra. Ndërsa materialet e çmuara janë përdorur gjithmonë për të krijuar një pasqyrë të pasurisë dhe statusit, sociologët pohojnë se ky trend vijon.

“Bizhuteritë janë përdorur nga gratë prej kohësh, si një simbol që i zbukuronin, binin në sy, si dhe i veçonin nga burrat. Po ashtu me anë të bizhuterive dikur tregohej edhe mosha e vajzave dhe grave, të cilat vendosnin një të tillë apo disa të tilla kur martoheshin si dhuratë nga bashkëshorti. Megjithatë kjo ndryshon sipas zakoneve që ka njëri vend apo tjetër. Kryesisht bizhuteritë e luksit tregojnë edhe statusin ekonomik, si një diferencë e shtresëzimit social” – thotë sociologia Marsida Simo.

Znj. Simo thotë, se tashmë tregu ka aq shumë lloje bizhuterish sa pothuaj kushdo mund të ketë mundësi të blejë, që nga më të shtrenjtat, të cilat kanë një kosto të tillë prej gurëve të çmuar, e deri tek imitimet apo bizhuteritë që janë thjesht për zbukurim.

“Bizhuteritë në vetvete nuk kanë asnjë funksion thelbësor, por nevoja për t’i blerë nxitet nga reklamimi dhe bombardimi me imazhe të cilat i shfaqin gratë të kompletuara në imazhin e tyre nëpërmjet bizhuterive. Shumë stilistë këshillojnë bizhuteritë, madje edhe në veshje. Rrjetet sociale po ashtu janë të tejmbushura me imazhe të vajzave dhe grave që janë të zbukuruara, të stolisura që ndrisin falë efekteve të telefonit. Këto imazhe flasin edhe për nevojën për shumëllojshmëri, pasi një grua duhet të jetë e kombinuar dhe jo të ekspozohet me një bizhuteri sa herë. Në këtë mënyrë krijohet një standard në mënyrën se si duhet të jetë një person në veçanti, një vajzë apo grua. Një presion i panevojshëm për të ushqyer botën e konsumit dhe për të shpenzuar para sa më shumë.

Madje do ta quaja të tepërt kur iu blihet fëmijëve bizhuteri luksi kur ata lindin apo sapo bëhen një vjeç. Një fëmijë nuk ka nevojë për të tilla zbukurime. Ajo mund të jetë edhe e rrezikshme nëse këputet, gëlltitet etj.” – thotë sociologia.

Tregu global

Në vitin 2020, tregu global i bizhuterive luksoze arriti në rreth 18 miliardë euro. “Pjesa e luanit” në të ardhurat e tregut të bizhuterive dhe orëve i atribuohet Kinës, e ndjekur nga Shtetet e Bashkuara, Japonia dhe India. Vlera e tregut të argjendarive pritet të rritet nga rreth 230 miliardë dollarë amerikanë në 2020, deri në rreth 292 miliardë dollarë në vitin 2025. Një nga risitë në industrinë e bizhuterive janë diamantet e krijuara në laborator, të cilat shpesh nuk dallohen nga diamantet natyrore dhe pritet të bëhen shumë më të zakonshme dhe më të disponueshme në të ardhmen e afërt.

Kërkesa për ar në mbarë botën është rritur nga mbi 3.1 mijë tonë metrikë në 2007 në rreth 4.4 mijë tonë metrikë në 2019. Ka disa industri të ndryshme që përdorin ar, por më e madhja prej tyre është industria e bizhuterive. Në vitin 2019, industria e bizhuterive përdori mbi 2.2 mijë tonë metër ar, duke përbërë pak më shumë se gjysmën e së gjithë kërkesës për ar në botë.

Kina dhe India zënë pjesën më të madhe të kërkesës globale për bizhuteri ari. Diamantet janë ndoshta guri i çmuar më ikonë për t’u përdorur në prodhimin e bizhuterive, të menduar nga shumë, si një simbol i dashurisë së përjetshme dhe luksit. Në vitin 2019, tregu i bizhuterive me diamant u vlerësua në rreth 79 miliardë dollarë amerikanë në të gjithë botën. Argjendi dhe platini janë dy materiale të tjera të përdorura zakonisht për bizhuteri, megjithëse bizhuteritë në platin kanë parë një rënie të popullaritetit në vitet e fundit.

Disa nga shitësit më të mirë të bizhuterive në të gjithë botën janë Signet Jewellers, Richemont Group, LVMH Group dhe Tiffany and Co. Signet Jewellers gjeneron pjesën më të madhe të shitjeve të saj nga martesat dhe bizhuteritë e modës. LVMH Group, i cili zotëron markat Bulgari, Hublot dhe Chaumet, atribuon 9% të të ardhurave të saj totale për bizhuteri dhe orë, të cilat arritën në rreth 4.4 miliardë dollarë amerikanë në 2019. Ndryshe nga Signet Jewellers, bizhuteritë për fejesë marrin vetëm një pjesë relativisht të vogël të shitjeve neto të Tiffany dhe Co. Kompania gjeneron shumicën e shitjeve të saj nëpërmjet koleksioneve të bizhuterive.

Avantazhet e mbajtjes së arit në një portofol investimi

Historikisht ari është parë si një “safe heaven”, sidomos në raste krizash globale, luftërash, sulmesh kibernetike etj.;
Ari është një aktiv fizik, i pranueshëm nga të gjithë, thuajse i padëmtueshëm dhe pa rrezik krediti (falimentimi);
Në ndryshim nga instrumentet e borxhit apo aksionet, është i pavarur nga politikat e qeverive;
Gjithashtu është i provuar si “inflation hedge”, sidomos në afate të gjata kohore;
Mund të përdoret si kolateral për marrëveshje dypalëshe huazimi (në ngjashmëri me përdorimin e titujve si kolateral);
Siguron një kthim nga investimi, nëse vendoset si depozitë ose marrëveshje SWAP-i.

Mundësi e mirë kursimi apo diversifikim portofoli?

Duhet theksuar se ari shfaq një volatilitet jo të vogël (pak më të ulët se volatiliteti i aksioneve, por shumë më i lartë se ai i obligacioneve), por gjen vend brenda një portofoli të mirëdiversifikuar. Duke pasur parasysh që nuk ofron kthim në formë disidentësh apo interesi, burimi kryesor i kthimit nga ari është fitimi kapital. Ky fitim kapital gjenerohet zakonisht në periudha pasigurie të lartë në treg, siç janë konfliktet gjeopolitike, luftëra tregtare, apo në periudha inflacioni të lartë./monitor

Për kë do të votoni në zgjedhjet e 25 prillit?

View Results

Loading ... Loading ...
Për t'ju bashkuar grupit të Faxweb.al në Facebook, klikoni Join Group
loading...

Artikuj të Ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.