Reshjet e dendura të shiut, por edhe të dëborës që kanë rënë gjatë ditëve të fundit kanë dëmtuar murin e Kalasë së Elbasanit.
Për shkak të rënies së gurëve institucionet kanë vendosur një shirit për të ndaluar hyrjen e banorëve, pasi mund të rrezikohet që të bien dhe gurë të tjerë. Deri më tani institucionet nuk kanë marrë asnjë masë tjetër përveç shiritit.
Siç shihet dhe nga pamjet e siguruara nga Faxweb, në hyrje të kalasë janë rrëzuar disa gurë nga muri i kalasë duke sjellë dëmtime të kësaj vepre historike. Edhe pse monument kulture i kategorisë së parë kalaja fushore e Elbasanit ndodhet në këtë situatë. Duket se debora dhe acari i ditëve të fundit veçse i kanë dhënë goditjen përfundimtare, pasi ajo prej kohësh e kishte dhënë sinjalin SOS.
Në gjithë këto vite Kalaja nuk ka njohur riparime, duke bërë që sot identiteti i saj të jetë në rrezik. Kanë qënë të shumtë ata qytetarë sot të cilët pasi kanë parë shiritat kufizues janë ndalur të shohin më nga afër pasojat. Të pyetur për këtë fakt ata shprehen të indinjuar me lënien në harrëse të monumenteve kulturore. Sipas tyre institucionet përgjegjëse duhet të marrin masa imediate.
Emergjencat civile kanë konstatuar situatën në terren dhe pas vendosjes së shiritave , ia kanë referuar problematikën Drejtorisë Rajonale të Monumenteve duke pritur ndërhyrje nga kjo e fundit.
Të njëjtin fat ka pësuar edhe pllaka e bustit të patriotit Aqif Pashë Elbasanit që gjendet pranë hyrjes së kalasë. Ndërkohë nga shirat e pak ditëve më parë është dëmtuar edhe pjesa anësore e Tetarit Skampa, edhe këtu prej ditësh janë vendosur shirita, por nuk ka patur asnjë ndërhyrje.
(R.G/Faxweb.al)