Deri në vitin 2021, reforma në drejtësi, organet e reja bashkë me ndryshimet e shumta institucionale që bartin me vete do t’u kushtojnë shqiptarëve mbi 98 milionë euro.
Ministria e Drejtësisë ka publikuar një raport për muajt e parë të vitit 2019, ku analizohen kostot e reformës për periudhën 2017-2021. Në dokument theksohet se kosto është shumë e lartë për t’u përballuar, shkak për të cilin është krijuar edhe një fond i konsiderueshëm rezerve.
Ndërkohë që nënvizohet se shpenzimet e deritanishme kanë qenë të reduktuara për shkak të vonesës së ngritjes së organeve të reja të drejtësisë, shkruan gazeta shqip.
Nga analiza e Ministrisë së Drejtësisë bie në sy se vetëm shpenzimet kapitale, për godina, zyra e ambiente do të shkojnë në total në vlerën e 39.7 milionë eurove. 10 milionë euro janë parashikuar për shpenzime të tjera, ndërkohë që rreth 1.8 milionë euro do të shkojnë për trajnimin e stafeve të gjykatave e prokurorive.