Një ndër çështjet më të zhurmshme të ditëve të fundit është përplasja në Prokurorinë e Krimeve të Rënda.
Prokurorja e Përgjithshme Arta Marku, nisi një hetim disiplinor ndaj 10 prokurorëve, të cilësuar si “rebelë” me pretendimin se ata nuk pranuan të ishin pjesë e shortit për çështjen “Shullazi”. Ndërkohë për 3 prokurorët e Krimeve të Rënda, Besim Hajdarmataj, Sonila Muhametaj dhe Olsian Çela, u transferuan në Prokuroritë e rretheve.
Pas kësaj, prokurorët kanë kërkuar takim me Kryeprokuroren e Krimeve të Rënda Donika Prela, por ajo nuk ka pranuar, gjë që ka bërë që prokurorët të hyjnë me forcë në zyrën e saj. Nga kjo, dyshohet se ka pasur konfrontim fizik çka bëri që Prela të kërkojë ndihmën e policisë.
Sot kryeprokurorja e Krimeve të Rënda doli në një konferencë të përbashkët për shtyp së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Ardi Veliu, ku raportuan mbi arrestimet e bujshme të klanit “Bajra”.
Në fund të konferencës së përbashkët, gazetarët kanë kërkuar nga Prela një prononcim për zhvillimet në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, kërkesë kjo që është shpërfillur nga kryeprokuroja e krimeve. Po ashtu gazetarët kanë pritur daljen e saj nga Drejtoria e Policisë, por sërish ky prononcim ka munguar, duke lënë në hije zhvillimet brenda organit më të lartë të akuzës.
Prela nuk pranon sërish prononcim, por hipën në makinë e ndihmuar nga Drejtori i Policisë së Shtetit dhe largohet.
(B.B/ Faxweb.al)