Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve në KQZ ka vendosur që anëtari i katërt i qendrave të numërimit të votave të jetë i LSI-së.
Në këtë mënyrë KAS ka rrëzuar kërkesën e bërë nga PDIU, e cila kishte pretendime që ky vend i përkiste forcës së saj politike.
Tashmë PDIU-së i mbetet dhe një mundësi, që ta ankimojë çështjen në fjalë në Kolegjin Zgjedhor.
Përfaqësuesi i PDIU-së kërkoi në nisje të mbledhjes hedhjen poshtë të vendimit të Celibashit, ku theksoi se është një parti parlamentare dhe se vendimi është në kundërshtim me ligjin.
“Ne jemi parti parlamentare, kjo ka qenë pika kur komisionari ka është bazuar për të ndryshuar pikën e këtij vendimi. Kërkojmë ndryshimin e vendimit, si vendim në kundërshtim me ligjin dhe PDIU të marrë pjesë në shortin e anëtareve të numërimit”, tha ai.
Përfaqësuesi i LSI-së, Altin Kaziaj u shpreh se PDIU nuk ka listën e vetë të kandidatëve në fletën e votimit pasi është nën siglën e Partisë Demokratike.
“I kërkojmë KAS hedhjen poshtë të ankimimit të PDIU dhe lënien në fuqi të vendimit të komisionarit”, tha ai.
(E.K/Faxweb.al)