Drejtori ekzekutiv i Fax News Enton Abilekaj, e ka quajtur provokimin e parë, atë që ndodhi dje në ambientet e Teatrit Kombëtar, ku u ç’montuan një pjesë e reklamave dhe dritave të tij.
Abilekaj tha se qeveria provokon, pasi numri i protetsuesve qëndrimtarë në këtë qëndresë ka ardhur duke u ulur, ndërsa sipas tij edhe opozita është hipokrite në qëndrimin e saj.
Sipas tij Rama do të hyjë në histori për shkak se është kryeministri i parë që ka hartuar një ligj të posatshëm për t’i shërbyer një biznesi, me të cilin është palë.
‘’Ajo që ka ndodhur dje është një provokim, për ata pak njerëz që kanë qëndruar atje. Për të thënë që tashmë është vendosur se çfarë do të ndodhë me godinën.
Kemi një kryeministër që i trajton pronat si ti kishte të vetat. Reagimi ka qenë i tulatur, dolën shumë artistë në fillim, dhe tashmë kanë ndërruar mendje. Nuk ka arsye që të ketë një ligj të posatshëm, në një seancë të posatshme, për të favorizuar një biznes të posatshëm.
Zyra e regjistrimit të pasurive nuk jep asnjë dokument dhe të dhënë sesi është regjistruar toka. Këta gënjejnë kur thonë se prona është në pronësi të privatit, vetëm 3% është e privatit. Teatri në hipotekë është ndarë në 3 pjesë, në mënyrë që ta bëjnë sa më të lehtë kalimin te privati.
Do ketë provokime të tjera të tilla, duke provokuar një konflikt, në kushtet kur protestuesit nuk janë të shumtë në numër, dhe mbështetja e opozitës është hipokrite.
Mjetet e artistëve janë ta pakta, nuk e kanë për borxh ata që të mbrojnë të vetëm godinën e tyre. Duhet një reagim më i madh i publikut. Edi Rama ka thyer të gjitha rekordet, duke grabitur një pronë në mes të kryeqytetit”, u shpreh Abilekaj.
Ndërkohë gazetari ka vijuar më tej duke komentuar dhe qëndrimin e presidentit Meta, që sipas tij nuk është mjaft i qartë.
Abilekaj i referohet këtu deklaratës së Metës që është duke shqyrtuar projektligjin, pas një takimi ku i pranishëm ishte dhe kryebashkiaku Erion Veliaj, që është një nga ortakët e prishjes së Teatrit.
“Reagimet e presidentit nuk janë shumë të qartë, presidentit i mbaron afati në 29 korrik, deri atë ditë nuk ka më kohë që të mblidhet Parlamenti, pasi seanca e fundit është në datën 23.
Presidenti shfaqet përkrah Erion Veliajt, që kërkon që ta prishë Teatrin, dhe në krah të tij presidenti thotë që nuk do të ndikohet nga asnjë aktor.
Nga ana tjetër Veliaj, që është edhe ortak për prishjen, në të njëjtin ambient, del 2 minuta pas tij dhe thotë që ka besim te presidenti.
Presidenti nuk duhet ta trajtojë këtë çështje, si të ishte mes palësh politike, jo! Presidenti këtu ka rolin që të bëhet me publikun, me të mirën ose me të keqen. Presidenti duhet të ishte i prerë dhe i qartë në mbrojtjen e simbolit kombëtar”, u shpreh më tej Abilekaj.
(E.K/FAXWEB.AL)