Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë akuzuar presidentin e Venezuelës, Nicolas Maduro dhe zyrtarë të tjerë të lartë për krime narko-terroriste, deklaroi sot Prokurori i Përgjithshëm amerikan, William Barr.
”Maduro akuzohet për një komplot, që përfshin lëvizjen guerile të Forcave të Armatosura Revolucionare të Kolumbisë (FARC), për të tejmbushur SHBA-në me kokainë”, tha Barr në një konferencë virtuale për median.
”Maduro lejoi FARC-in që të përdorë Venezuelën si një strehë të sigurt nga ku të dërgonte kokainën në Amerikën Qendrore”, theksoi ai.
Aktakuza vjen pas hetimeve për një kohë të gjatë nga autoritetet federale në Uashington, Nju Jork dhe Florida.
Masa shënon një përshkallëzim të fushatës së qeverisë amerikane për të bërë presion ndaj Maduros që të tërhiqet pas rizgjedhjes së tij të diskutueshme në vitin 2018 dhe lejimit të një krize ekonomike që ka shkaktuar një eksod masiv nga Venezuela.